Ekspertët e arsimit: Testi i maturës shtetërore s’duhet të hiqet

Prishtinë | 23 Qer 2017 | 14:32 | Nga

Administrimi i testit të maturës në Kosovë ka nevojë të përmirësohet, por jo të largohet tërësisht, vlerësojnë ekspertë të fushës së arsimit, shkruan Gazeta Metro.

Tash e disa vite po vazhdon të mbahet testi për maturantë, mirëpo thuajse çdo vit ka pasur probleme për shkak të organizimit të dobët të tij. Edhe rezultatet në anën tjetër nuk ishin aq të besueshme.

Drejtori ekzekutiv nga Qendra për Arsim në Kosovë, Dukagjin Popovci për Gazetën Metro tha se edhe këtë vit testi u karakterizua me administrim jo të mirë, si pasojë e të cilit erdhi deri tek mashtrimi dhe kopjimi nëpër klasa.

‘’Edhe këtë vit testin shtetëror të maturës e karakterizoi admnistrimi jo i mirë, i cili bëri që pyetjet e testit të dalin në rrjetet sociale, dhe poashtu të ketë sipas raportimeve të organizatave të shoqërisë civile edhe kopjim dhe mashtrim nëpër klasa. Konsideroj se përderisa vazhdon një administrim i tillë jo i mirë i testit edhe besueshmëria e tij është në pikëpyetje të madhë, pra ne nuk mund t’i besojmë një testi ku rezultatet arrihen përmes kopjimit dhe mashtrimit të paktën te një numër i nxënësve,’ u shpreh Popovci.

Ai riktheksoi domosdoshmërinë e administrimit më të mirë të këtij testi për të arritur rezultate të besueshme, por e konsideron se nuk është e nevojshme të hiqet testi pasi është i vetmi instrument që kontrollon cilësinë e punës së shkollave.

‘Ky test është ndër instrumentet e pakta që ka në dorë shteti për të kontrolluar cilësinë e punës në shkolla, prandaj nuk jam për atë që testi të largohet por jam për atë që të përmirësohet administrimi në mënyrë që informata e cila merret për nivelin e të mësuarit të nxënësve të jetë informatë e besueshme. Dhe në bazë të saj informate edhe të bëhen përmirësimet e duhura edhe pse jo të kërkohet llogari nga ata që nuk i kanë kryer si duhet detyrat’, u shpreh ai.

Edhe eksperti i arsimit, Jusuf Thaçi pohon se edhe këtë herë është dëmtuar procesi i testit, kjo pasi nuk dihet se sa nxënës kanë pasur qasje nga shpërndarja e përgjigjeve në internet .

Thaçi thotë se shteti nuk guxon të funksionojë me logjikën se duhet të hiqet testi, por të përmisohet administrimi i tij dhe të zhvillohet në proces normal si në shtetet e tjera të botës.

‘Testi i maturës administrohet prej institucioneve shtetërore, përkatësisht prej shtetit. Shteti nuk guxon të funksionojë me logjikën se nuk po mundemi me zhvillu testin si duhet, hajde ta heqim. Duhet të veprojmë si krejt bota e zhvilluar e normale si dhe duhet të administrohet dhe të ketë mobilizim më të mire, në atë mënyrë që mos të lejohet keqadministrimi,’ u shpreh Thaçi.

Testit të maturës në Kosovë çdo vit i nënshtrohen rreth 30 mijë maturantë.

Ky test vlerëson arritjet e njohurive, shkathtësive dhe aftësive të nxënësve të cilat i kanë fituar gjatë arsimimit parauniversitar në përputhje, me kurrikulën e Republikës së Kosovës.

Këtë vit pjesa e parë e këtij testi u mbajt më 14 qershor, ndërsa pjesa e dytë pritet të mvbahet nesër, më 24 qershor(GazetaMetro)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme