Brenda dhjetë vitesh, ekspertet e shohin Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) anëtare në NATO. Këtë e bazojnë në interesin e dyanshëm që e kanë këto dy mekanizma, raporton Ekonomia Online. Ndonëse transformimi i FSK-së është afatgjatë, ekspertet i druhen ndonjë vendimi politik që kjo gjë të mos ndodh.
Profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami, është optimist se brenda 10 vjetësh, FSK-ja mund të bëhet anëtare e NATO-s. Islami shtoi se kjo çështje është interes i dyanshëm në mënyrë që të ruhet paqja dhe siguria në Kosovë dhe jashtë saj.
“Duke pas parasysh nivelet e forcës të sigurisë së Kosovës që shkallë-shakllë në planin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë është duke u zhvilluar me dinamikën që është e paraparë unë besoj që brenda 10 viteve nëse nuk ka ndonjë vendim politik, Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë forcë e cila do të prodhoj paqe dhe siguri së bashku me Aleancën Veri Atlantike”, u shpreh Islami.
“Interesi është i dyanshëm sepse edhe Aleanca Veri Atlantike janë që të ruhet paqja dhe siguria jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë Kosovës”, tha tutje ai.
Islami ka përmendur blerjen e mjeteve ushtarake nga FSK-ja si shenjë e transformimit të këtij institucioni ushtarak.
“Duke i falënderuar miqtë ndërkombëtar, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë investuar jashtëzakonisht shumë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ajo dalëngadalë po i arrijnë efektet e veta dhe shkallën e përgjegjësisë dhe profesionalizmit si dhe kohët e fundit kemi parë edhe blerjen e mjeteve luftarake dhe në përgjithësi logjistike kështu që të gjitha kushtet tashmë janë duke u plotësuar në mënyrë që FSK-ja, ose ushtria e Kosovës, të jetë pjesë e Aleancës Veri Atlantike”, tha Islami.
Ndërkaq eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, tha për Ekonomia Online se ky proces duhet të përfundoj në vitin 2028.
“Sa i përket procesit në të cilin ka hyrë Kosova drejtë transformimit të saj, nga konponenta e FSK-së në forcat e armatosura të Kosovës, është një rrugë bukur e gjatë, të cilat duhet të përmbyllet me planin gjithëpërfshirës dhe duhet të përfundon 2028-tën pra deri në datën 2028 Kosova ka para vetit një mori procese në të cilat do të duhej t’i përmbyllte në aspektin e kuadrove profesional dhe ushtarak”, u shpreh Shala. Shala tutje tha se krahas zhvillimeve politike, Kosova duhet të aplikoj edhe në Programin e Partnerëve për Paqe, të cilin e quajti gurthemel për anëtarësimin e Kosovës në NATO. “por çfarë mund të bëhet dhe çka mund të arrihet është që krahas nivelit politik, do të duhet të aplikojmë edhe për Programin Partnerët për Paqe, i cili është një gurthemel i rëndësishëm për hyrjen e Kosovës, në mekanizmin politiko-ushtarak të NATO-s”, tha Shala.