Ekspertët gjermanë: Nuk ka imunitet kolektiv pa vaksinuar të rinjtë

Prishtinë | 06 Kor 2021 | 20:43 | Nga Ekonomia Online

Imuniteti kolektiv ndaj koronavirusit nuk ka gjasa të arrihet pa vaksinimin e fëmijëve dhe adoleshentëve, ka njoftuar Shoqata Gjermane e Imunologjisë (DGfI).

“Zakonisht mendohet se imuniteti kolektiv do të arrihet kur 60 deri në 70 për qind e popullsisë mbrohet nga patogjenët. Por supozohet se virusi nuk mund të riprodhohet tek ata njerëz,” tha zëvendës presidenti i DGfI Reinhold Forsta për gazetën “Funke Media Group”.

Ai tha se me Sars-Cov-2 është ndryshe, njerëzit mund ta transmetojnë virusin edhe pse nuk janë vetë të sëmurë, edhe nëse janë vaksinuar. Ai gjithashtu theksoi se “lloji delta i virusit vetëm përkeqëson një situatë të tillë”.

“Është shumë më ngjitës dhe prek adoleshentët dhe fëmijët,” shpjegoi ai, duke shtuar se për sa kohë që kjo grup-moshë është e pa vaksinuar ose në numër të vogël, imuniteti kolektiv nuk do të arrihet.

Instituti Robert Koch për Kontrollin e Sëmundjeve (RKI) vlerëson se të paktën 85 për qind e popullsisë së moshës 12 deri 59-vjeç dhe 90 për qind e atyre mbi 60- vjeç duhet të vaksinohen në mënyrë që të luftojnë me sukses llojin delta.

Deri më tani, Bordi i Vaksinimit nuk ka lëshuar një rekomandim të përgjithshëm për vaksinimin e fëmijëve dhe të rinjve më të vjetër se 12-vjeç dhe nuk ka asnjë vaksinë të aprovuar për ata nën 12-vjeç.

Të ngjashme