Mosbesimi në drejtësi ka rritur numrin e vrasjeve

Prishtinë | 01 Sht 2016 | 09:06 | Nga

Numri i vrasjeve në Kosovë ka rritur shqetësimin e qytetarëve dhe ka zbehur besimin në institucionet e drejtësisë, kanë vlerësuar njohësit e çështjeve të sigurisë.

Vetëm në muajin gusht në Kosovë janë shënuar 9 vrasje, ndërkohë bazuar në të dhënat e policisë nga janari deri në muajin korrik kanë qenë 15, që i bie 24 vrasje të shënuara deri tash.

Më 18 gusht të këtij viti, në hyrje të një ndërtese në Ferizaj mbeti i vrarë 20-vjeçari Sami Rexhaj pas një konflikti të mëhershëm me kryerësin e vrasjes.

Ndërkaq, më 23 gusht, në lokalin “Deep Bar”, në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, mbetën të vrarë tre persona, vëllezërit Valon dhe Ali Islamaj dhe Zef Krasniqi derisa të dyshuarit vazhdojnë të qëndrojnë në arrati.

Dy ditë më pas në Shaptej të Deçanit u vranë dy persona pas një zënke që kishte nisur për një xham të autobusit. Autorët e vrasjes, sipas policisë, janë babë e bir, ku njëri nga ta është në arrati.

Vrasja tjetër u shënua më 26 gusht, kur një 91-vjeçare u vra me thikë në shtëpinë e saj në Shtërpcë për shkak të disa problemeve pronësore me një familjare të saj.

E vrasja e fundit ndodhi tri ditë më parë, kur dy të rinj, Eron Agaj dhe Arianit Gashi, u vranë në mes të ditës afër parkut të kryeqytetit pas një konflikti që dyshohet se kishin pasur më herët me shtetasin shqiptar L.I. I dyshuari ndodhet në arrati.

Sipas raportit vjetor të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2015 kanë qenë gjithsej 25 vrasje, ndërkohë në vitin 2014 kanë qenë 35 vrasje.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme