Vendimi i Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov që të refuzoi dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë për Zoran Zaevin, kryetar i Partisë së Unionit Social Demokratik në Maqedoni nga ekspertët juridikë në Kosovë vlerësohet si skandaloz në aspektin juridik dhe politik. Ehat Miftaraj hulumtues i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se me këtë vendim, Presidenti Ivanov ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
“Kushtetuta e Maqedonisë e obligon Presidentin e Republikës që të caktoi mandatarin për formimin e Qeverisë së Republikës të Maqedonisë. Për më tepër, kjo Kushtetutë e obligon Presidentin Ivanov që mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Nuk është kjo çështje e vullnetit të Presidentit por obligim kushtetues, i cili në këtë rast shkelet në mënyrë flagrante”, thotë Miftaraj.
Kundërshtimi i Presidentit Ivanov për të dorëzuar mandatin për formimin e Qeverisë së Maqedonisë, për kandidatin Zaev edhe përkundër faktit se i ai ka siguruar nënshkrimet e 67 deputetëve, respektivisht shumicës në Kuvend, sipas Miftaraj, në radhë të parë përbën shkelje të rëndë kushtetuese pasi që Presidenti përmes këtij vendimi ka dështuar që të drejtat dhe detyrat e veta t’i ushtron në bazë dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë.
“Për më tepër arsyetimi i Presidentit Ivanov lidhur me refuzimin e dhënies së mandatit të liderit të Partisë së Unionit Social Demokratik, si rezultat i platformës shqiptare dhe refuzimit të njohjes së gjuhës shqipe në Maqedoni, bie ndesh me vlerat dhe parimet bazë të njohura ndërkombëtarisht lidhur me promovimin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, thotë Miftaraj.(Lajmi.net)