Ekspertë të çështjeve të arsimit dhe përfaqësues të organizatave që e monitorojnë mbajtjen e provimit të maturës shtetërore janë skeptikë se këtë vit do të evitohen parregullsitë gjatë mbajtjes së këtij testimi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Madje, vendimin e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi për masa ndëshkuese ndaj maturantëve që u gjendet telefon dhe që zihen duke kopjuar po e quajnë vetëm formal.
Kjo pasi, siç thonë, të njëjtat masa janë paraparë që nga viti 2015 me ligjin e provimit të maturës shtetërore, por që nuk janë respektuar. Megjithatë, zyrtarë të MASHT-it janë zotuar se këtë vit procesi i mbajtjes së provimit të maturës nuk do të shoqërohet me parregullsi, ngase i kanë marrë të gjitha masat preventive për këtë çështje.
Sipas vendimit të ministrit të marrë 3 ditë më parë, nxënësve që u gjenden telefona mobilë në qendër të testimit ose zihen duke kopjuar do të përjashtohen nga testi për atë afat.