Vendimi i Qeverisë së Kosovës se gjysmëvjetori i parë do të përfundojë më 18 dhjetor si pasojë e situatës me pandeminë, ka lënë skeptikë ekspertët e çështjeve të arsimit që ditët e humbura mësimore do të kompensohen gjatë muajit korrik.
Drejtori i Insitutit EdGuard, Rinor Qehaja tha për Ekonomia Online se ndërprerja e vitit mësimor duhet të përcjellët me një evidencë nëse shkollat me të vërtetë kanë rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së virusit.
“Ndërprerja e vitit mësimor sado që duket e arsyeshme në kohë pandemie vlerësoj për komunitetin e shkollës s’paku meriton një mirëinformim mbi bazën e marr të këtij vendimi, pra ajo evidenca empirike që nëse shkolla me të vërtetë ka rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së virusit që na ka sjell në një situatë të mbylljes së parakohshme.Unë rikujtoj që kjo mbyllje si e tillë dhe stërgjatje e pushimit dimëror prek 10 ditë pune që jam shumë skeptik që mund të zëvendësohen në periudhën pas qershorit e tutje”, tha ai.
Tutje sipas Qehajaj, kjo do të sjell probleme edhe në vlerësimin e cili do të jetë jo reprezentativë për dijen e vërtetë të nxënësve.
“Tash vlerësimi i brendshëm në shkolla tona gjithmonë ka qenë problem, ka qenë jo real i fryer dhe jo reprezentativë i dijës së vërtet të nxënësve e kjo na dëshmohet edhe me vlerësimet e jashtme qoftë nga testi i maturës por edhe nga vlerësimet ndërkombëtare, mirëpo tash ky proces shumë i dëmtuar dhe i kontestuar i vlerësimit të brendshëm ka qenë edhe subjekt i një periudhe pandemike që në tërësi e ka shthurur edhe atë pak përkushtim që ka qenë në vlerësim të mirëfilltë dhe si i tillë çka do që na paraqitet si vlerësim gjatë kësaj periudhe është një vlerësim i ngutur dhe jo shumë reprezentativë për dijen e vërtetë të nxënësve”, shtoi ai.
Ndërsa, sipas drejtorit ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci tha për Ekonomia Online se me vendimin e fundit të Qeverisë që gjysmëvjetori i parë të përfundojë më herët nuk është humbje e madhe e ditëve të fundit, por që ai theksoi se këto ditë duhet të kompensohen në muajin korrik.
“Kjo varet nga gjendja e vlerësimit të cilën e kanë bërë ekspertët shëndetësorë dhe nëse ata e kanë vlerësuar se do të ishte rrezik vazhdimi i mësimit, atëherë mendoj se edhe ne të tjerët duhet ta respektojmë vendimin e tyre. Në këtë gjysmëvjetor humben katër ditë pune, pra nuk është ndonjë humbje e madhe e ditëve të punës dhe pastaj problemi është që zgjatet pak pushimi dimëror se zgjatë një muaj dhe këto duhet të kompenzohen për të vazhduar mësimin shkollor edhe në muajin korrik”, tha ai.
“Ka kohë të mjaftueshme që të përfundon gjysmëvjetori, kështu që mësimdhënësit kanë kohë të mjaftueshme që të merren me vlerësimin e nxënësve në qoftë se kanë ngel mbrapa me vlerësim dhe diçka që nuk është e mirë është se do të ekzistojë një shpërputhje e gjatë në mes dy gjysmëvjetorëve po kjo është e imponuar nga kjo situatë e pandemisë dhe nuk besoj që kemi çfarë të bëjmë aty”, shtoi Pupovci.
Qehaja, vlerëson se mësimi online është një periudhë e humbur për nxënësit, prandaj thekson nevojën që të ripërsëriten ato fusha kurrikulare në të cilat ka ngecje më të mëdha dhe që janë më të rëndësishme karshi procesit të mësimnxënies.
“Unë vlerësoj që procesi mësimorë dhe mësimnxënja është dëmtu jashtëzakonisht shumë. Shumë prej rezultateve të vetnxënies të parashikune me kurrikulë nuk kanë arrit as që të komunikohen e lëre se ma që të kompletohen si të tilla nga vet nxënësit, shqetësimi jonë është që ky problem do të mbartet tutje si ngecje në mes gjeneratave andaj rëndësia që institucioni të merr masa korrigjuese që qoftë me mësim shtesë, për ato nxënës që kanë qenë pjesë e këtij skenarit të sigurohemi që kanë marr dijen sikurse të planifikuar”, tha ai për EO.
“Unë vlerësoj që veçanërisht periudha prej marsit e tutje dhe mos prezenca hiç fare në shkollë, paraqet një periudhë të humbur. Mësimi online dhe ajo nga distanca gjatë kësaj pjese nuk ka sjell ndonjë rezultat, nxënësit kanë qenë të shpërqëndruar tash a duhet të ripërsëritim të njëjtin unë mendoj që duhet të ripërsëritim ato fusha kurrikulare në të cilat ka ngecje më të mëdha dhe që janë më të rëndësishme karshi procesit të mësimnxënies dhe si të tilla përkushtimi i institucionit të MAShT-it dhe komunitetit të shkollës të jetë që të ofrohet ajo përkrahje në mësimnxënie që të ofrohet ajo përkrahje në mësimnxënie për këto pjesë të mësimit nga viti paraprak mësimor dhe nga ky vit e tutje”.
“Si rezultat i kësaj ngecje në mësimnxënie të njëjtat do të mbarten tutje për vitet në vijim qoftë në formë të zhvlerësimit në pikësim në testime ndërkombëtare si ai i Pisas ose Tims por edhe në formë të dijës së akumuluar ku shumë nxënës do ta thellojnë atë ngecjen në vite që e kanë në mësimnxënie dhe do t’u mbartet tutje përgjatë karrierës së tyre akademike dhe profesionale”, shtoi ai.
Gjithashtu edhe Pupovci vlerëson se duhet të zhvillohen aktivitete shtesë për të kompensuar këtë vit shkollor, pasi sipas tij mësimi online nuk e ka cilësinë e njëjtë sikurse mësimi që zhvillohet në klasa.
“Gjithsesi se ka me ekzistu një humbje mësimore sepse shkollat nuk janë të krijuar për mësim online, as nuk janë të krijuar për të mbajtur distancë po për te krijuar afërsi edhe për punë në klasë dhe tani kur në vend punës në klasë duhet të organizohet mësimi online, është shumë e qartë se ajo nuk do të shkojë në cilësinë e njëjtë sikur mësimi që organizohet në klasë, prandaj kjo është vlerësuar nga banka botërore gjatë pranverës se nxënësit që kanë marr pjesë në mësimin online kanë humbë diku 25% të përmbajtjes mësimore, dmth kjo ka qenë një vlerësim të vitit shkollor, ndërsa ata që nuk kanë marr pjesë në mësimin online kanë humbur diku rreth 40%. Ky vlerësim vlen për vendet e Ballkanit Perëndimor, pra edhe për Kosovën”, tha ai.
“Nuk mendoj se viti shkollor duhet të përsëritet, thjesht duhet të pasur parasysh se ky vit shkollor sikurse edhe i kaluari nuk janë vite shkollore normale dhe mund të organizohen aktivitete të veçanta për kompensim, posaçërisht gjatë muajve të verës ose në fillim të vitit shkollor të ardhshëm ose duhet të pasur parasysh me rastin e realizimit te plan programit, mirëpo askund nuk anulohet një vit shkollor për shkak se ka ndodh gjendja e jashtëzakonshme”, shtoi eksperti i çështjeve të arsimit.
Tutje, Pupovci theksoi se nuk duhet të merakosemi për testin Pisa por të orientohemi sesi të stabilizohet sistemi i arsimit gjatë kohës së pandemisë.
“Nuk guxojmë të orientohemi me rezultatin në Pisa, pra brenga kryesore duhet të jetë sesi të stabilizohet sistemi i arsimit gjatë kohës së pandemisë edhe siç po thoni edhe vet edhe ashtu ka shumë probleme, rënie në rezultatet e Pisas do të kenë të gjitha shtetet nëse ruhen kriteret e njëjta, mirëpo vendet që janë më të varfra do të kenë dëme më të madh, problemi i kësaj pandemie është që e rrit hendekun në mes të shteteve të ndryshme varësisht nga gjendja e tyre ekonomike, por edhe e rrit hendekun brenda qytetarëve të një shtetit varësisht nga gjendja e tyre”.
“Megjithatë këtë situatë do ta kalojnë më lehtë ata që janë të pajisur me internet, hardware. software sesa ata që s’kanë qasje në këto”, përfundoi ai.