Ekspertët tregojnë se kur mund të flitet për imunitet tufe ndaj variantit Delta

Prishtinë | 09 Gus 2021 | 21:30 | Nga Ekonomia Online

Përpara se të dilnin variantet e reja të virusit korona, vlerësohej se imuniteti i tufës prej sëmundjes kovid-19 mund të arrihej nëse 60 deri 70 për qind e popullsisë do të imunizohej, por vlera tani thuhet se duhet të jetë afër 100%.

Instituti shtetëror i Danimarkës për sëmundjet infektive mendon se imuniteti i tufës nuk mund të arrihet as nëpërmjet vaksinimit dhe se Covidi ka për të qarkulluar për shumë vite të tjera.

“Nëse vaksinat do të ishin 100 për qind efikase kundër varianteve që kemi tani, dhe do të kishim vaksinuar 100 për qind të personave 12 vjeç e sipër, atëherë edhe mund të flisnim për imunitet tufe ndaj variantit Delta. Por fatkeqësisht, nuk është ky rasti, nuk mund ta arrijmë dot,” tha Tira Grove Krauz, drejtuesja e Institutit.

Megjithatë, vaksinat e kanë anën pozitive, dhe sipas akademikes daneze, ato do i bëjnë më të përballueshme efektet anësore të kovidit-19.

“Qëllimi i vaksinave është të parandalojnë sëmundjen e rëndë, jo eliminimi i viruseve, thekson Kruz.

Konkluzionet e saj provohen edhe në Islandë, një vend ku 93% e popullsisë mbi 16 vjeç është e vaksinuar. Vendi me 330 mijë banorë po kalon tani valën e katërt të pandemisë.

Gjysma e atyre që janë shtruar në spital janë ndër personat e vaksinuar më parë.

Edhe Britania e Madhe raportoi në fundjavë 27 mijë raste të reja infektimi, rreth 23 mijë raste në Rusi, gati 9 mijë raste dhe rreth 300 viktima regjistruan Filipinet, një rekord ditor arriti Irani me më shumë se 37 mijë të infektuar dhe 411 jetë të humbura brenda ditës, ndërsa në Amerikë u prek niveli më i lartë i rasteve pozitive në 6 muajt e fundit, mbi 100 mijë raste në 24 orë.

Të ngjashme