Eksperti i arsimit kritikon organizimin e testit të maturës: Nuk reflekton dijen reale të nxënësve

Prishtinë | 22 Qer 2026 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i arsimit Argjend Osmani ka thënë se edhe këtë vit njëjtë sikurse edhe në vitet e kaluara në mbajtjen e testit të maturës janë shfaqur dështime të shumta, raporton Ekonomia Online.

Osmani, në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se shpërndarja e testit po bëhet për shkak që përqindja e kalueshmërisë të jetë më e lartë, duke shtuar se kjo po bëhet nga oponentë të caktuar.

“Fatkeqësisht, nuk ka pasur dallime të mëdha në mënyrën e organizimit të testit të maturës, të njëjtat dështime që janë shfaqur edhe në vitet e kaluara janë përsëritur. Kjo tregon një mungesë të sinqeritetit në organizim, tregon që dikujt i konvenon faktikisht që rezultatet të dalin më të mira, për shkak se nëse gjithçka do të mbahej në mënyrë korrekte, nxënësit do të dilnin me rezultate edhe më të dobëta. Pra, për të mos shpërfaqur dështimin në fushën e arsimit, oponentë të caktuar nga qeveria luajnë me poteza të tilla, në mënyrë që shpërndarja të ndikojë në ngritjen e përqindjes së kalueshmërisë dhe kjo pastaj është një hap i cili ndikon në mos seriozitetin e organizimit dhe përgjithësisht mund të them ngjashëm sikur viteve të kaluara”, u shpreh ai.

Osmani tha se për parandalimin e kësaj dukurie, fillimisht duhet të vetëdijesohet shoqëria, e më pas të merren masa teknike, si bllokimi i sinjaleve të telefonave.

“Kot janë masat teknike të përmenden që duhet bërë këtë, ose duhet bërë atë. Unë mendoj se problemet kryesore qëndrojnë tek vetë akterët politikë, të cilët asnjëherë nuk e kanë marrë seriozisht testin e maturës, po as fushën e arsimit në tërësi. Pra, që të kemi një organizim të mirëfilltë, vetë fusha e arsimit duhet të jetë prioritet qeveritar dhe që pastaj të kemi masa të tjera teknike, që do të ndikonin p.sh., teknikisht në bllokimin e sinjaleve të telefonave, në aplikimin e teknologjive të caktuara, por para së gjithash në vetëdijesimin e shoqërisë. Në këtë formë sesi jemi duke funksionuar, faktikisht po bëhemi gaz i botës, sepse nuk do të na merr askush seriozisht në një të ardhme të afërt, në këtë mënyrë duke keqpërdorur në arsim, duke keqpërdorur në fonde publike, duke mos pasur faktikisht asnjë përgjegjësi ndaj komunitetit dhe shoqërisë dhe duke synuar që çdo politikan të përfitojë nga ajo sferë ku punon, por të mos e ketë përgjegjësinë e komunitetit”, tha ai.

Ai deklaroi se ky test nuk reflekton dijen reale të nxënësve.

“Jo, absolutisht nuk reflekton dijen reale. Është një proces i organizuar me shumë vështirësi, i organizuar me probleme të cilat vazhdimisht po shpërfaqen dhe kjo e shkakton një hendek në mes të atyre që me të vërtetë kanë mësuar për provim dhe këtyre të tjerëve që janë pjesë e një grupi të privilegjuar, një grupi që e merr testin 5-6 minuta pasi ai të shpërndahet, me gjithë përgjigjet, kështu që nuk ka nevojë të lodhet dhe kështu do të iu shkojë edhe jeta, duke kopjuar në test të maturës, duke marrë grada dhe kredenciale akademike, në mënyrë të padrejtë”, tha Osmani.

Por, ka thënë se i njëjti nuk duhet të anulohet, sepse do të përbënte problem për ata që duan të studiojnë jashtë Kosovës.

“Pavarësisht vështirësive që shfaqen në vazhdimësi, nuk mund të themi që duhet anuluar testi i maturës, për shkak që ky hap do të shkaktonte probleme të mëdha, sidomos në grupin e studentëve të cilët synojnë të studiojnë jashtë Kosovës, duhet kuptuar meqë si parakusht për të studiuar në shumë shtete pra aplikohet edhe parakushti i testit të maturës, andaj edhe atyre do të iu cenohej e drejta e studimit atje. Unë mendoj që duhet të ketë një seriozitet më të madh, duhet që politikanët dhe personat tjerë që janë në shërbim të politikës, ta kuptojnë që shteti është mbi politikat ditore, interesat nacionale dhe fusha e arsimit duhet të jetë prioritet kombëtar dhe ta zhvillojmë shtetin tonë. Nëse ne nuk e bëjmë kush do ta bëjë atëherë”, theksoi ai.

Testi i Maturës Shtetërore u mbajt më 20 qershor.

Në këtë test morën pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit në të gjithë Kosovën. Për administrimin e tij, u angazhuan nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve.

Të ngjashme