Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka vlerësuar lart ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas intervistës së tij të dhënë në një media pak para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Tahiri ka thënë se Thaçi është një prej figurave kryesore të proceseve që kanë çuar në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një burrështetas me kontribut të jashtëzakonshëm kombëtar.
“Unë mendoj që është edhe një dëshmi e radhës që kemi të bëjmë me një lider të madh, lider i lirisë të Kosovës, lider i shtetndërtimit të Kosovës, lider i pavarësisë të Kosovës, një burrështetas që është i veçantë dhe me kontribute të jashtëzakonshme e të veçanta kombëtare, ai që i ka pri gjitha proceseve dhe ai që është vula e secilës punë të mirë dhe e sistemit shtetëror e organizativ të shtetit të Kosovës”, tha ai.
Tahiri tha se intervista ka ngjallur edhe emocion dhe krenari, duke përmendur rrugëtimin e Thaçit dhe kontributin e tij në procese të ndryshme politike e historike të Kosovës.
“Pra, është edhe emocion, mirëpo në anën tjetër është edhe krenari me pa mesazhe e me dëgju rrëfime, po edhe emocion për rrugën dhe sakrificën e tij personale e familjare në procesin e shtetndërtimit prej fazës së organizimit, lirisë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bisedimet në Rambuje, Vjenë, shpalljes së pavarësisë, po edhe njohjeve që sot realisht i gëzon Republika e Kosovës”, tha Tahiri.
