Edhe në ditën e katërt pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targa me Serbinë nga ana e Kosovës, gjendja në afërsi të pikave doganore mbetet e pandryshuar.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala thotë se pjesa veriore e Kosovës ka qenë e pakontrollueshme për shumë vite nga ana e autoriteteve të Kosovës.
Ai thotë se edhe me aksionin e fundit të autoriteteve shtetërore, reagimet e serbëve kanë qenë të pritshme.
“Shoferët e kamionëve nuk janë persona të zakonshëm. Ata janë pjesë të strukturave paralele. Janë njerëz të Zvonko Veselinoviqit që zbatojnë planet e Vuçiqit për të shkaktuar trazira”, deklaroi Shala në RTV Dukagjini, përcjell Telegrafi.
Shala thotë se është shqetësuese që barrikadat janë duke u shtuar.
“Nëse edhe 5-6 ditëve vazhdon situata e njëjtë, barrikadat do të arrijnë deri më Mitrovicën e Jugut duke iu vështirësuar pjesëtarëve të policisë të shkojnë deri te pikat kufitare 1 dhe 31”.
Eksperti i sigurisë thotë se reagimi i policisë tashmë është i vonuar pasi sipas tij terreni është i vështirë për të qëndruar gjatë njësitet policore.
“Çdo ditë që stërzgjatet operacioni, është rrezik për policët e Kosovës të qëndrojnë atje pasi është një territor i vështirë për të ofruar mbështetje. Nuk duhet të vlerësohet më nëse ka qenë veprim i duhur politik apo jo, por ka rrezik strategjik që nëse policia tërhiqet pjesa veriore do të atakohej në aspektin e sigurisë”.
Shala thotë se Serbia dihet se nuk mund të përdorë ushtrinë apo policinë por sipas tij shteti fqinj mund të përdorë strukturat kriminale për të destabilizuar Kosovën.
“Xhandarmëria e ka për detyrë ta vizitojë kufirin e shtetit serb, por ne nuk duhet të biem pre e provokimeve të tyre dhe të reagojmë me emocione. Pra është detyrë e xhandarmërisë të kontrollojë vijën kufitare derisa ushtria tjetër e kontrollon pjesën tjetër të territorit të Serbisë”, deklaroi tutje Shala.