Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi e ka akuzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për luftë hibride.
Ai nëpërmjet një shkrimi ka shtruar pyetje se pse nuk po arrestohet gjyqtari, i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban që rrezikon sigurinë nacionale.
“Presidente, pse nuk po arrestohet gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese që po “rrezikon sigurinë nacionale”? Ata që kuptojnë vetëm pak nga çështjet e sigurisë do ta kuptojnë lehtë: nëse dikush po zhvillon luftë hibride kundër Kosovës, del se është vetë Presidentja”, ka shkruar Kajtazi.
Kujtojmw qw Radomir Llaban është i njohur për publikun në Kosovë që nga viti 2018, kur presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, refuzoi fillimisht t’ia dorëzonte dekretin për emërim derisa të verifikohej nga organet e drejtësisë. Disa muaj më vonë, megjithatë, Thaçi e dekretoi atë.
Llaban është person i kërkuar në Serbi, pasi ka shmangur vuajtjen e një dënimi prej gjashtë vjetësh burgim, të shqiptuar si pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore” – një grup i përbërë nga persona të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.
Emri i tij ndodhet në listën e të kërkuarve në Serbi që nga viti 2012 dhe në atë të Interpolit që nga viti 2014.
Por, presidentja Osmani tani thotë se ka informacione që gjyqtari Llaban “paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Në një konferencë për media më 5 gusht, Osmani deklaroi se Gjykata Kushtetuese është njoftuar për “veprimtarinë e rrezikshme” të Llabanit në vitet 2018, 2021 dhe 2024.
Ajo nuk pranoi të japë detaje se në ç’mënyrë Llaban paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare, duke theksuar se ky është një vlerësim i besuar institucioneve të sigurisë.