Eksperti mjeko-ligjor thotë se vdekja e policit në Zllatar ka ndodhur si pasojë e gjakderdhjes masive

| 22 Jan 2025 | 15:55 | Nga

 Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të mërkurë është mbajtur gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e policit në Zllatar, ku u dëgjua eksperti mjeko-ligjor, Valon Hyseni i cili ka përpiluar raportin e autopsisë së të ndjerit L.H.

Në këtë rast, Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H, në një ndenjë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së, në Zllatar, në shkurt të vitit të 2022.

“Vdekja e të ndjerit ka ndodhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme e të jashtme si pasojë e shqyrjes së lobit të sipërm të të dy mushkërive dhe pjesës torakale të aortës“  ka thënë eksperti Hyseni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Eksperti Hyseni ka thënë se gjatë autopsisë nuk ka gjetur vrimë dalëse, por se predhën e kanë gjetur në krahun e majtë edhe pse plaga apo vrima hyrëse ka qenë në krahun e djathtë të tani të ndjerit.

Tutje, ai ka thënë se nga të gjeturat e autopsisë, përshkrimit të dëmtimit të organeve dhe humbjes së madhe të gjakut, ka konstatuar se vdekja ka qenë e shpejtë, mirëpo sipas tij,  që kjo varet edhe nga veçoritë individuale të organizimit.

Po ashtu, ai ka deklaruar se nuk janë evidentuar faktorët plotësues të qitjes me armë se të njëjtit udhëtojnë në distancë deri në 1 metër, çka do të thotë se qitja me armë ka qenë në distancë më shumë se 1 metër.

Në pyetjen e prokurorit Arben Hoti, eksperti Hyseni tha se e kanë pasur të pamundur që përcaktojnë pozicionin e viktimës në momentin kritik.

Tutje, ai tha se ndoshta me një rikonstruim të vendit të ngjarjes do të ndihmonte në përcaktimin e pozicionit të tani të ndjerit.

Gjithashtu, në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave.

Prokurori Hoti ka propozuar që të bëhet rikonstruim i vendit të ngjarjes. Gjithashtu,i njëjti propozoi që në cilësi të dëshmitarit, të dëgjohet eksperti të armëve, Rrahim Fazliu, i cili sipas tij, shërben në Akademinë e Kosovës për Sigurinë Publike.

Mirëpo, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ertan Sejfulla, ka refuzuar propozimin për dëgjimin e ekspertit Fazilut, me arsyetimin se i njëjti nuk ka qenë në vendin e ngjarjes dhe nuk është ekspert i licencuar.

Gjithashtu, gjyqtare Sejfulla refuzoi edhe propozimin për rikonstruim të vendit të vendit të ngjarjes, duke thënë se nuk është kontestuese gjendja faktike, por se a është kryer vepra penale me dashje apo nga pakujdesia.

Propozimin e prokurorit Hoti e ka përkrahur pala e dëmtuar, Labërie Haxholli, e cila tha se eksperti Fazliu është një instruktor i Akademisë së Policisë për Sigurinë Publike i cili i trajnon kadetët policorë, dhe marrë parasysh se i pandehuri ka qenë policë dhe me armën që i ka dhënë shërbimi policor e ka vrarë një person.

Ndërsa, për refuzimin e propozimit për rikonstruim të vendit të ngjarjes, e njëjta tha se trupi gjykues ia mohuan një të drejtë të tillë, duke marrë parasysh edhe faktin se eksperti mjekoligjor deklaroi se një rikonstruim i vendit të ngjarjes do të ndihmonte në përcaktimin e pozicionit të të ndjerit.

“Në shenjë proteste, ne e lirojmë sallën, pasi që nuk ka vend për ne këtu, dhe sinqerisht nuk kam fjalë për rrethanat dhe mënyrën se si është duke u zhvilluar ky rast”, tha e dëmtuara Haxholli.

Tutje, kjo seancë vazhdoi me dëgjimin e të akuzuarit Fatlum Mehmeti, i cili tha se ai nuk ka qenë as organizator as iniciator i ndenjës me kolegët.

“Ndihem dhe jam plotësisht fajtor që nga pakujdesia dhe pa asnjë lloj dashje, aksidentalisht kam shkaktuar vdekjen e kolegut dhe shokut tim Lirimit”, tha i akuzuari.

I akuzuari, filloi të tregonte çfarë ndodhi ditën kritike, por dëshmia e tij u ndërpre për të vazhduar në seancën tjetër.

Ndryshe, i akuzuari  Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale”  kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatartë Prishtinës.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, ElitThaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimidhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.

Të ngjashme