Në Kuvendin e Kosovës u hap ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, një instalacion artistik që, sipas organizatorëve, do të jetë “një zile” për deputetët se plaga e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë është ende e hapur.
Rrëfime të familjarëve të të pagjeturve, fotografi të Atdhe Mullës dhe të kuruar nga artistja dhe arkitektja Eliza Hoxha, si dhe 1653 çelësa me emrat e atyre që kanë mbetur ende të pagjetur nga lufta, janë vendosur në korridorin që lidh dy hollet e Kuvendit.
Në hapje të ekspozitës mori pjesë dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili e pranoi se plaga e të pagjeturve është ende e pashëruar dhe Serbia është ajo e cila duhet të japë llogari pse fati i shumë kosovarëve mbetet i pandriçuar, raporton Ekonomia Online.
“Pak ditë na ndajnë nga festimi i përvjetorit të 11-të të pavarësisë. Ne gjatë tërë periudhës kemi pasur gëzimet dhe hidhërimet tona. Ajo çka na ka mbetur peng janë pasojat e luftës, janë njerëzit tanë të cilët nuk e dimë se ku i kemi”.
“…jemi në procese të cilat janë të pamëshirshme. Plaga e të pagjeturve është ende e pashëruar, ne duam drejtësi, Serbia është ajo e cila duhet të japë llogari”, tha Veseli.
Kreu i Kuvendit tha se përmes kësaj ekspozite, para qytetarëve të Kosovës, sjell në pah edhe njëherë një prej plagëve më të rënda të shtetit tonë.
“Në shumë raste, arti e shpreh dhimbjen dhe brengën më mirë se format tjera të shprehjes njerëzore dhe ky instalacion i Eliza Hoxhës na e dëshmon më se miri këtë. Kosova është një shoqëri që ecë përpara, punon për të ardhmen, por pa harruar asnjëherë të kaluarën, sakrificat e panumërta të popullit tonë për liri e dinjitet, pa harruar asnjëherë ata që na mungojnë tash e 20 vite. Të pagjeturit na mungojnë fizikisht, por në zemrat dhe mendjet tona kanë qenë e do të mbesin gjithmonë të pranishëm, sepse ata janë pjesë e pandashme e lirisë së kësaj toke”, tha kryetari i Kuvendit.
Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të të zhdukurve të Kosovës, tha se për një familjar është më vështirë në raste të këtilla. “Por dhimbjet tona duhet t’i rrëfejmë para të gjithëve. Por, nuk duhet më veç me folë por duhet ketë shumë më shumë punë”.
“Urime 11-vjetori i pavarësisë. Zoti e bekoftë popullin shqiptar që ende vuan për ato gjëra që na u është thënë që do të na përkrahin dhe ende nuk është realizuar asgjë”, tha Qerkini.
“Dhimbja e atyre që po na thërrasin, ‘hajde më merr babë’, ‘hajde më merr nënë’, ‘hajde më merr vëlla’, ‘hajde më merr motër’, po shkon në vendin ku duhet”, u shpreh ai.
E ideatorja e kësaj ekspozite, Eliza Hoxha, tha se shpreson që tashmë kjo ekspozitë e vendosur në korridorin e Kuvendit të Kosovës, do jetë një zile për t’i dhënë përgjigje çështjes së personave të zhdukur.
“Më vjen mirë që jemi në një institucionin i cili realisht ka një funksion tjetër, por i cili e ka hapur derën që diskutimi dhe dialogimi për çështjen e të pagjeturve, nëpërmjet një platforme tjetër, asaj artistike, të ndodhë në zemër të tij, pikërisht në kohën kur po përgatitet platforma e bisedimeve, në të cilën kjo çështje është pjesë thelbësore”, theksoi Hoxha.
Kushtrim Koliqi, një nga organizatorët e ekspozitës, tha se derisa po punonin për ta realizuar këtë ekspozitë kanë marrë komente të ndryshme -shumica përkrahëse.
“Por një koment që më ka bërë përshtypje ka qenë: ‘Shumë mirë që po bëni zhurmë në vendin ku duhet me bë zhurmë’. Besoj që kjo ekspozitë e sotit nuk është vetëm zhurmë, por është një bërtimë e madhe në këtë objekt të rëndësishëm për vendimmarrje. Është bërtimë me shpresën që jehona e kësaj bërtime do të shkojë në veshët, në zemrat e njerëzve që marrin vendime këtu”, tha Koliqi.