Përfaqësuesja e organizatës “Culturat”, Mihane Hoxha, tha se ekspozita është bërë në nderim të punës së Policisë gjatë periudhës së pandemisë
Është hapur të martën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ekspozita me fotografi “Uniforma blu gjatë pandemisë COVID-19” e cila shfaq disa prej punëve dhe aktiviteteve të policisë gjatë karantinimit dhe pas hapjes graduale të qytetarëve dhe bizneseve.
Ekspozita e cila do të qëndrojë në shesh deri në fundjavë është bashkëpunim i organizatës joqeveritare “Culturat” me Policinë e Kosovës (PK), e cila javën e kaluar shënoi 21-vjetorin e themelimit të saj.
Përfaqësuesja e organizatës “Culturat”, Mihane Hoxha, tha se ekspozita është bërë në nderim të punës së Policisë gjatë periudhës së pandemisë, raporton Anadolu Agency.
“Kemi bërë përpjekje që ta pasqyrojmë situatën prej momentit të karantinimit ku Policia e Kosovës ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke u dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës. E dyta, përmes kësaj ekspozite ne jemi munduar t’i falënderojmë Policinë e Kosovës e cila prej momentit kur është paraqitur rasti i parë me COVID-19, PK po punon me orar të stërzgjatur”, ka thënë Hoxha.
Ndërkaq, ekspozita u vlerësua edhe nga nënkoloneli i Policisë, Basri Shabani, i cili pa nga afër fotografitë.
Policia e Kosovës po vazhdon të punojë më orar të zgjatur për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).