Ekspozohet vetura e komandant Kumanovës

Prishtinë | 25 Gus 2016 | 14:39 | Nga

Në kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Brigadës 121 të UÇK-së, “Ismet Jashari-Kumanova”, në Kleçkë, sot është ekspozuar vetura e komandant Kumanovës.

Ky ekspozim i veturës, është përcjellë me homazhe në varrezat e dëshmorëve të kombit, si dhe me përurimin e librit “Në çdo lis një sy shqiponje”, kushtuar togut të artilerisë së Brigadës 121.

Këto aktivitete janë mbajtur në kuadër të shënimit të Ditës së Brigadës 121, e cila mbante emrin e Komandant Kumanovës, i cili bashkë me luftëtarë të tjerë, ranë heroikisht më 25 gusht të vitit 1998, në vargmalet e Berishës.

Fillimisht, janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve, në kompleksin memorial, kushtuar dëshmorëve të Brigadës 121, ku morën pjesë, deputeti dhe kryetari i “NISMA për Kosovës”, Fatmir Limaj, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, zyrtarë komunalë të Malishevës, familjarë të dëshmorëve, veteran të luftës, dhe qytetarë të shumtë.

Më pas, në këtë kompleks memorial, është ekspozuar vetura e Komandant Kumanovës, të cilën e kishte përdorur komandanti gjatë luftës, dhe e cila është një “artefakt” i luftës dhe dëshmi e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përurimin e vendit ku është ekspozuar vetura e Komandant Kumanovës, e bënë Fatmir Limaj, ish anëtar i SHP të UÇK-së, Nderim Jashari, nipi i komandant Kumanovës, Metush Kryeziu, kryetari i ShVL të UÇK-së në Malishevë dhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku.

Në këtë ditë të shënuar për Brigadën 121, u bë edhe promovimi i librit monografi “Në çdo lis një sy shqiponje” me autor Arsim Krasniqi, Nasuf Gashi dhe Hasan Maksuti, kushtuar togut të artilerisë së Brigadës 121 “Kumanova”. “Ky libër është një përjetësim i luftës çlirimtare”, tha prof.Dr. Ibrahim Gashi, historian dhe recensues i librit.

Gashi, e quajti përgjegjësi të madhe, përjetësimin e një lufte, ose të një pjese të luftës, por autorët, sipas tij, e kanë dokumentuar mirë këtë libër, dhe këtë përgjegjësi, pasi është libër i kompletuar në aspektin metodologjik dhe me fakte.

Ndërsa për aspektin luftarak të artilerisë, foli major Petrit Rrahmani, dhe për rëndësinë e këtij togu dhe për rolin që ka pasur gjatë luftës, foli Mr.Haxhi Shala-komandant i Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.

Të ngjashme