Pesë skitarë morën pjesë për herë të parë në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj të mbajtur vitin e kaluar në Erezum të Turqisë. Nuk arritën ndonjë rezultat për t’u krenuar.
Por, rezultate më të mira se garuesit e vitit të kaluar premtojnë dy skitaret e reja, Elba Kokaj dhe Klea Vrella, që do ta përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF), “Sarajeva & Sarajeva Lindore 2019”, që mbahet prej 9 deri më 16 shkurt në Bosnjë-Hercegovinë.
Skitaret Kokaj 17-vjeçare dhe Vrella 16-vjeçare kthehen të hënën (sot) në Kosovë nga përgatitjet që i patën nga 16 dhjetori në Qendrën Skitare në Erezum të Turqisë, shkruan sot Koha Ditore.
Kokaj e Prishtinës dhe Vrella e Pejës në Sarajevë do të garojnë në disiplinat sllallom dhe sllallom të madh.
Në Bosnjë-Herecegovinë thonë se do të udhëtojnë me motiv të madh për të arritur suksese më të mira se që arritën skitarët e vitit të kaluar.