Eleni Foureira ka ndezur finalen e madhe të Pallatit të Kongreseve për plot 12 minuta. Së bashku me grupin e saj të kërcimit, artistja me origjinë shqiptare, e rikthyer në Shqipëri për eventin e madh të muzikës, u ngjit në Pallatin e Kongreseve për të sjellë një kolazh me hitet më të ndjekura, si edhe me “Fuego”, kënga që e dërgoi artisten në skënën e Eurovisionit 2 vjet më parë.
Pas performancës, e emocionuar nga duartrokitjet e publikut, Eleni tha:
“Nuk flas shumë mirë shqip, por dua të them se jam shumë e lumtur që jam në Shqipëri, në Tiranë. Nëna dhe gjyshi, që janë tani në Vlorë dhe më shikojnë, dua t’ju them se ju dua shumë…”
E paragjykuar në fillimet e saj në Greqi, në luftë të vazhdueshme me racizmin, Elenit i është dashur edhe ta fshehë ndonjëherë origjinën, por sot, tha ajo, gjërat kanë ndryshuar: “Greqia është një vend shumë i bukur. Sot nuk është e vështirë t’ia dalësh në Greqi, por në fillim ishte …” – tha këngëtarja.
Skenën e Eurovisionit, të cilën Eleni e ka provuar dhe e ka shijuar, ua uron edhe këngëtarëve shqiptarë, të cilët, siç tha ajo, janë shumë të mirë e të talentuar.
“Përvoja e Eurovizionit është shumë e bukur dhë këngët këtu janë shumë të bukura….”