Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë kësaj jave do të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Ekonomia Online se në rezultatet përfundimtare do të ketë të dhëna të detajuara për subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në këto zgjedhje.
“Në bazë të planifikimeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pret që këtë javë të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare. Këto rezultate do të jenë të dhëna të detajuara për subjektet politike por edhe për kandidatët pjesëmarrës në këto zgjedhje, besojmë që brenda pak ditësh pra gjatë kësaj jave KQZ-ja do të del dhe t’i shpall këto rezultate”, ka thënë ai.
Sipas tij pas shpalljes së rezultateve brenda 24 orëve subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në lidhje me rezultatet përfundimtare.
“Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare fillon të rrjedh afati 24 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ku subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në lidhje me rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja. Ne duhet të presim përfundimin e kësaj periudhe, por se edhe cilat do të jenë vendimet eventuale të këtij paneli për të proceduar më tutje drejt certifikimit të rezultateve përfundimtare dhe njëkohësisht përmbylljes së këtij procesi zgjedhor”, ka pohuar Elezi.
E duke folur për numërimin e votave me kusht Elezi për Ekonomia Online është shprehur se procesi i numërimit është duke shkuar vazhduar edhe sot dhe shpresojnë se rezultatet do të dalin shumë shpejtë.
“Dje në Qendrën e Numërimit të Rezultateve pas përfundimit të numërimit të votave të cilat kanë ardhur përmes postës ka filluar edhe numërimi i votave me kusht të cilat janë të konfirmuara rreth 25 mijë procesi është duke shkuar jashtëzakonisht mirë po besojmë se shumë shpejtë do të përmbyllet numërimi i këtyre votave. Të dhënat për ditën e djeshme flasin se procesi ka shkuar mirë pasi kanë qenë 16 komuna prej të cilave janë numëruar votat me kusht, ndërkaq gjatë ditës së sotme ka vazhduar numërimi i votave me kusht edhe për komunat e tjera. Po besojmë se shumë shpejtë do të arrijmë ta përmbyllim këtë numërim dhe t’i hapim rrugë shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka thënë ai.
Në bazë të rezultatit preliminar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni i PDK-AAK-NISMA, ka fituar 34 për qind të votave, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 27 për qind, kurse në vendin e tretë është koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.7 për qind të votave.