Elezi: Rinumërimi garanton saktësinë e rezultatit, KQZ mund ta shtojë numrin e vendvotimeve

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 12:42 | Nga Gzim Mujaj

914 kuti votimi do të hapen sërish dhe kësaj radhe për t’u rinumëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, raporton Ekonomia Online.

Dyshimet për mospërputhje të votave ndërmjet kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politike, ka detyruar KQZ-në që të marrë vendim për rinumërimin e një numri kaq të madh të vendvotimeve, të cilat përbëjnë 36% të tyre në nivel vendi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka treguar për Ekonomia Online se qëllimi i rinumërimit është garantimi i saktësisë së rezultatit të zgjedhjeve.

Vendimi i KQZ-së për rinumërim vjen pas gjetjeve nga verifikimi i votave të kandidatëve për deputetë nga 33 vendvotime të ndryshme, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve ashtu siç janë në fletëvotime.

“Vendimi i KQZ-së për rinumërimin e votave ka për qëllim garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Ky veprim synon verifikimin e çdo vote dhe sigurimin që rezultati përfundimtar të pasqyrojë në mënyrë të drejtë dhe të besueshme vullnetin e qytetarëve”, tha Elezi.

Elezi tregoi se varësisht nga gjetjet gjatë procesit të rinumërimit, KQZ mund të marrë vendim të ri për të zgjeruar rinumërimin në komunat ku fillimisht është vendosur të rinumërohen vetëm nga 10% e vendvotimeve.

“Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të kemi rinumërim të të gjitha vendvotimeve, ndërkaq në 28 të tjera do të rinumërohen vetëm nga 10% e vendvotimeve të tyre. Varësisht nga gjetjet gjatë rinumërimit, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera”, tha Elezi.

Të ngjashme