Elon Musk, njësia ‘DOGE’ dhe pritshmëritë e tregut për Dogecoin

Prishtinë | 13 Dhj 2024 | 12:30 | Nga Arsim Ajeti

Rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Amerikë ku Donald Trump arriti fitore bindëse kanë filluar të sjellin ndryshime ende pa filluar mandate, dhe kjo jo vetëm në aspektin ekonomike.

Njëra ndër arsyet, thuhet të jetë edhe shkaku që brenda administratës amerikane për herë të parë do të kemi një departament që do të mbikqyrë dhe këshillojë vetë zyrën presidenciale, e ai do të udhëhiqet nga novatori i mirënjohur, z. Elon Musk.

Pavarësisht të gjitha premtimeve që kemi ndëgjuar, prioriteti i administratës Trump për formimin e departamentit ‘DOGE’ mbetet i pandryshuar.

Departamenti ‘DOGE’ do të ketë ndikim në disa cështje, duke filluar nga monitorimi e deri tek këshillimi i sektorëve që kanë bërë bujë përgjatë fushatës parazgjedhore.

Ndër prioritetet kryesore konsiderohen të jenë rregullimi i kripto-tregut, (bitcoinit në vecanti) derregullimet e shumta për bizneset novatore, si dhe minimizimi shpenzimeve të shumta në projektet e cilësuara si të parëndësishme për taksapaguesin amerikan.

Pra, në pak fjalë, angazhimet që do të ketë Elon Musk në departamentin ‘DOGE’ pritet të ndikojnë edhe tek Dogecoin.

Por së pari ta bëjmë dallimin mes departamentit DOGE dhe kripto-asetit Dogecoin.

I pari njihet si Departamenti i Efiçencës Qeveritare, i cili nga 20 Janari e tutje do të prezentohet me akronimin zyrtar ‘DOGE’, dhe do të drejtohet nga miliarderi Elon Musk dhe sipërmarrësi Vivek Ramasëamy.

DOGE, mes tjerash do të përkujdeset të minimizojë shpenzimet buxhetore dhe mënjanojë ato administrative, duke ofruar transparencë dhe duke kërkuar llogaridhënie në të njejtën kohë.

Ndërsa i dyti, Dogecoin është një kripto-aset i bazuar në meme, që ka ngjashmëri periferiale me bitcoinin, por mbetet i pa limituar në treg. Dhe kjo e bën pothuajse të pavlerë, apo me vlerë minimale, (në krahasim me bitcoinin), prandaj mbetet e hapur për spekulime në treg.

Fati i saj dhe investitorëve të saj, që kryesisht i takojnë brezit të ri është se z. Musk preferon këtë të fundit.

Pikërisht këtu kemi një korelacion të faktorit Musk, mes angazhimit të tij qeveritar në departamentin DOGE në njërën anë, dhe tendencës për të ndikuar përmes meme-postimeve në rrjetin X në anën tjetër.

Thënë këtë, entuziazmi dhe pritshmëritë janë të mëdha për njësinë ‘DOGE’, ndërsa spekulimet vetëm sa vijnë e shtohen lidhur me atë se cili do të jetë ndikimi i z. Musk në vlerën reale të Dogecoinit.

Ndikimi në tregjet globale përmes rrjeteve sociale nuk është ndonjë risi për administratën e re amerikane.

Kjo pasi Donald Trump njihet për postimet e tij specifike, shpeshherë kërcënuese me tarifa për Kinën, duke mos kursyer as kontinentin Evropian.

Jo vetëm z. Trump, por edhe vetë z.Musk ka ndikim të pamohueshëm në rrjetet sociale.

Në mënyrë ironike, Musku njihet më tepër për debatin e tensionuar virtual me ish drejtuesit e platformës Twitter, debat i cili në vend që ta ulte çmimin, ia ngriti në mënyrë indirekte, e tëra kjo nga polemikat e shumta me drejtuesit e platformës në fjalë. 

Kjo bëri që Eloni të paguajë 44 miliardë dollarë për privatizimin e Twitterit, një çmim ky dyfish më i lartë se sa realisht ishte vlerësuar rrjeti social në atë kohë.

Megjithatë, postimet e tij rreth brendit Tesla kanë ndikim pozitiv në cmim, dhe cilësohen si të pazëvendësueshme përsa i përket investitorëve dhe ndjekësve të shumtë që Eloni ka në platformën X.

Ndaj logjikisht shtrohet pyetja, çfarë mund të presim nga z. Musk tek njesia ‘DOGE’, dhe cilat janë projeksionet për Dogecoin?

Një gjë është e sigurt, Dogecoin herët a vonë do ta tejkalojë rekordin e vitit 2021, (ku arriti vlerën $0.93 për njësi) dhe padyshim se do vazhdojë me luhatje të mëdha në treg.

Në fund fare, administrata e presidentit Trump nuk kontrollon cmimet e tregut, por synon të kundërtën, derregullimin dhe eleminimin e pengesave të shumta administrative për novatorët e rinj, ndërsa zhvillimet në sektorin e intelegjencës artificiale dhe rregullimin e kripto tregut do trajtohen si ‘top prioritet’

Të gjitha këto ndryshime bëhen për të rikthyer ekonominë amerikane në pedestalin më të lartë ekonomik dhe tregëtar, apo siç thotë edhe z. Trump përmes sloganit tij të famshëm ‘Make America Great Again”.

E sa do të arrijë ta bëjë Amerikën të madhe sërish, këtë do të kemi mundësi ta analizojmë së bashku përgjatë katër viteve të ardhshme, ndërsa shfaqja ‘Trump/Musk’ starton me 20 Janar 2025.

Të ngjashme