Elshani: KQZ-ja ka fajin më të vogël për manipulimet me vota, përgjegjësia është te sistemi zgjedhor

Prishtinë | 23 Jan 2026 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Arianit Elshani, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka deklaruar se KQZ-ja mban përgjegjësinë më të vogël për manipulimet me vota, duke theksuar se problemi kryesor qëndron te vetë sistemi zgjedhor. Sipas tij, duhet sa më shpejtë të ketë digjitalizim total të votimit.

Sipas Elshanit, procesi zgjedhor i 28 dhjetorit ka nxjerrë në pah probleme serioze si me votat e kandidatëve ashtu edhe me mënyrën se si është i organizuar sistemi zgjedhor në Kosovë. Ai ka thënë se sistemi aktual ua beson partive pothuajse të gjithë procesin zgjedhor, nga anëtarët e komisioneve komunale dhe këshillat e vendvotimeve, deri te vëzhguesit dhe numëruesit e votave.

“Ky format ka dëshmuar se gara e kahershme mes partive për vjedhje votash është zhvendosur tash në manipulim të votave për kandidatë të caktuar”, deklaroi Elshani në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai theksoi se KQZ-ja po i ofron të gjitha informatat e nevojshme institucioneve të drejtësisë, por se roli i KQZ-së është më shumë rregullator i procesit zgjedhor.

“Faji është i sistemit që ia ka lënë gjithë procesin në dorë partive, dhe tani lufta po zhvillohet mes kandidatëve, jo mes partive”, u shpreh ai.

Elshani ka thënë se debati aktual duhet të fokusohet në reformat zgjedhore dhe në analizimin e secilave palë zgjedhje, duke përmendur se këtë vit për herë të parë publikut i është ofruar një transparencë kaq e madhe lidhur me votat e kandidatëve. 

Ai ka thënë se duhet të ketë digjitalizim të votimit dhe fletëvotimet të “zhduken” nga përdorimi.

“Digjitalizimi që kemi bërë nuk po mjafton”, ka shtuar Elshani. 

Sipas tij, procesi i rinumërimit pritet të përfundojë në tërësi gjatë fundjavës së ardhshme, ndërsa rreth dy javë më pas pritet të përmbyllet edhe procedura për rezultatet përfundimtare.

Lidhur me dyshimet për manipulime me vota, në Prizren sot u arrestuan 109 persona.

Të ngjashme