Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, priti sot në takim drejtoreshën e Rrjetit të Qendrave Rinore të Kosovës (KYCN), Krenare Gashi.
Gjatë takimit kanë diskutuar për procedurat e ratifikimit të marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, si dhe lidhur me punën dhe aktivitetet e Komisionit që ndërlidhen me zbatimin e MSA-së dhe Agjendën për Reforma Evropiane.
Gashi njoftoi deputeten Emini se Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) është rezultati i parë nga procesi i Berlinit dhe e cila zyre tashmë ka hyrë në fazën finale drejt funksionalizimit të saj.
Ajo shtoi se RYCO ka vënë hapin e parë konkret drejt funksionalizimit, duke themeluar Bordin udhëheqës, si organi më i lartë vendimmarrës i këtij mekanizmi rajonal.
Bordi në vete ka një përbërje të veçantë duke numëruar 12 anëtarë dhe gjashtë sosh janë përfaqësues nga shoqëria civile, specifikisht nga sektori rinor. Ajo ka sqaruar se gjashtë zëra rinorë përfaqësojnë interesat ekskluzive të të rinjve nga gjashtë vendet (Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria). Kjo specifikë, tha Gashi, e bën RYCO-në, të vetmen strukturë rajonale në të cilën shoqëria civile, përkatësisht të rinjtë janë pjesë e drejtpërdrejt dhe e barabartë e vendimmarrjes, karshi qeverive.
Lidhur me ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe sa i përket çështjes së procedurave dhe po ashtu obligimeve të brendshme, të gjitha shtetet e rajonit përpos Kosovës, kanë kryer obligimin ligjor duke e ratifikuar marrëveshjen në parlament, sqaroi ajo. Ndërkaq shtoi se mbetet të shihet nëse Kosova do të tregoj se vërtetë është e përkushtuar ndaj pjesës më të madhe të popullsisë së saj, rinisë.
Andaj, Gashi tha se shpresojnë se shumë shpejtë do të bëhet edhe ratifikimi i marrëveshjes nga ana e Parlamentit me qëllim që nga një buxhet vjetor prej 2 milionë euro që ka ky rrjet, ku 80% do të alokohet në mbështetje të projekteve rajonale, ku edhe të rinjtë e Kosovës do jenë gati për të përfituar nga RYCO.
Ndërsa, kryetarja Emini duke shprehur përkrahjen e saj të pa rezervë për funksionalizimin e kësaj zyre shtoi se në këtë situatë izoluese në të cilën ndodhen të rinjtë kosovarë, nevoja për të bashkëpunuar me të rinjtë nga rajoni është e domosdoshme dhe si e tillë duhet të mbështetet nga secili.