Emiratet Arabe investojnë 25 milionë euro për ndërtimin e spitalit të ri të Gjinekologjisë në Prishtinë

Prishtinë | 23 Jan 2026 | 10:04 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka bërë të ditur një lajm të rëndësishëm për sektorin e shëndetësisë në Kosovë, duke njoftuar për investime në vlerë totale 32.5 milionë euro nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Përmes një njoftimi nga Abu Dhabi, Hamiti ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga këshilltari Melhin Mahmuti, është pritur nga zëvendëssekretarja e Departamentit të Shëndetësisë në Abu Dhabi, Dr. Noura Al-Gauthi. Gjatë takimit, ai është informuar se, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, kanë nisur përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.

Po ashtu, gjatë këtij viti pritet të fillojë edhe procesi i rinovimit dhe pajisjes me teknologji moderne mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri, projekt ky që do të financohet me 7.5 milionë euro nga Departamenti i Shëndetësisë i Abu Dhabit.

Shkrimi i plotë i ambasadorit Hamiti:

Një lajm i mirë nga Abu Dhabi për Spitalin e Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë Gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga Këshilltari, z. Melhin Mahmuti, u prita nga Shkëlqesia e Saj, Dr. Noura Al-Gauthi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë – Abu Dhabi, e cila më informoi se, në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Shëndetësisë, kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.

Gjatë takimit, po ashtu u njoftuam se ky Departament, gjatë këtij viti, do të fillojë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro. Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës.

Të ngjashme