Ylli i listës A në Hollywood, Emma Stone, është shtatzënë me fëmijën e parë. Aktorja 32-vjeçare dhe bashkëshorti i saj, komediani 35-vjeçar Dave McCary, pritet të bëhen prindër së shpejti.
“Ajo duket shumë e lumtur dhe emocionuar për faktin se do të bëhet nënë. Që të dy mezi po e presin ardhjen në jetë të foshnjës së tyre të parë”, citohet të ketë thënë një burim për “Us Weekly”.
Së fundmi në media kanë filluar të qarkullojnë edhe fotografitë e para, ku aktorja shihet me barkun e fryrë të shtatzënisë, megjithëse lajmin se është në pritje të një fëmije nuk e kishte konfirmuar asnjëherë.
Stone dhe McCary, që janë një çift i cili e ruan shumë privatësinë e tyre, besohet se e kanë kurorëzuar lidhjen me martesë në shtator të vitit 2020. Edhe sot nuk dihen detaje nga martesa e tyre, vetëm që nga ajo kohë, që të dy janë spikatur në publik me unazë martese në gisht.
Kur vjen puna tek të qenët prind, Emma ka ndjenja të veçanta për këtë. Duke folur me mikeshën e saj të ngushtë, aktoren Jennifer Lawrence, në numrin e muajit shtator të revistës “Elle” të publikuar në vitin 2018, Emma e kishte hapur zemrën duke treguar se çfarë mendimi ka për fëmijët dhe të qenët nënë.
“Mendimi im për krijimin e familjes ka ndryshuar me kalimin e vjetëve. Si e re asnjëherë nuk jam kujdesur për fëmijët e dikujt tjetër, dhe nuk kam pasur shumë kontakt me fëmijë të vegjël. Si tinejxhere thosha se kurrë nuk do të martohem, dhe nuk do të kem kurrë fëmijë. Por, me kalimin e vjetëve ndryshova mendim, dhe tani dua të martohem dhe të krijojë familje”, kishte rrëfyer aktorja për mikeshën e saj.
Emma dhe Dave e kanë filluar lidhjen romantike në vitin 2017, ndërsa u fejuan kah fundi i 2019-s. Çifti vazhdimisht e ka mbajtur jetën private larg vëmendjes së mediave dhe publikut, përfshirë këtu edhe martesën që zuri vend vitin e kaluar. Siç duket, 2020 ka qenë një viti i mbarë dhe i veçantë për dyshen e famshme të showbizit.