Emocionet e Jakup Krasniqit në fjalën përfundimtare: Nëse liria është krim, historia do të dënohet

Prishtinë | 08 Sht 2026 | 19:38 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, po përballet me gjykim për krime lufte në Gjykatën Speciale në Hagë.

Tashmë që kanë mbetur pak më shumë se 1 javë deri në verdiktin final të kësaj gjykate ndaj katërshes së UÇK-së, Krasniqi, më 18 shkurt, vetëm një ditë pas festimit të përvjetorit të 18-të të pavarësisë së Kosovës, kishte mbajtur fjalën e tij përfundimtare.

Me urimin për Pavarësi, Jakup Krasniqi nisi deklarimin se qëndron para kësaj gjykate, si njeri i lindur dhe i kalitur në luftën për dinjitet dhe jo si një kriminel.

“Iu uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës, që dje e festuan pavarësinë e Kosovës. Qëndroj para jush jo si kriminel, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftë për dinjitet njerëzor, në një popull që refuzoi zhdukjen nga politikat dhe krimet e gjenocidit të Serbisë”, kishte thënë Krasniqi.

Para trupit gjykues, ai deklaronte se për më shumë se pesë vjet i është mohuar e drejta e njeriut, duke theksuar ndër më të rëndësishmen – atë për të jetuar në liri.

“Pas më shumë se pesë vjetësh burgim të padrejtë dhe, sipas mendimit tim, të panevojshëm, angazhimi im politik dhe jetësor për jetë e liri ka nisur herët. Kam qenë i angazhuar që në fillim për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi, kundër politikave të persekutimit dhe gjenocidit të regjimit serb, të cilat sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë për popullin e Kosovës”.

“Për më shumë se pesë vjet, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndër to, më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për t’i jetuar vitet e mbetura me dinjitet, pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, thoshte ai.

Ish-kryeparlamentari i Kosovës tha se qëllimi i tij dhe bashkëluftëtarëve ishte se errësira e padrejtësisë do të thyhej me agimin e shpresës.

“Kjo është bërë pa i shkaktuar padrejtësi askujt. Pa i rrezikuar asnjë njeriu të vetëm, përkundrazi kam rrezikuar jetën time, jo vetëm gjatë luftës çlirimtare, por që nga vitet 1972-73, së bashku me familjen time, me bashkëkombësit e mi, me bashkëfshatarët e mi, me besimin se errësira e padrejtësisë do të thyhej me agimin e shpresës. Kjo është arsyeja pse u angazhova për çlirim”, tha Krasniqi.

Akuzat kundër tij dhe shokëve që ndodhen në Hagë, ai ishte shprehur i bindur se janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra.

“Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve, por duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme”.

“Drejtësia të mos thyhet mbi shpinën e tiranisë që përjetuam. Dashuria për jetën dhe lirinë më bëri ta marr këtë rol. Më është mohuar dhe më është ndaluar e drejta më njerëzore e çdo personi të lindur i lirë, dhe e çdo njeriu të arsyeshëm që e njeh vlerën dhe dinjitetin njerëzor, e drejta për ta dashur hapur vendin tim, për të punuar për të dhe për të përcjellë atë që kam mësuar përmes dekadash jetë e sakrifica”.

“Për këto virtyte u prangosa më 4 nëntor 2020. Akuzat kundër nesh dhe UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra. Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve, por duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme. Padrejtësia e këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzën”, deklaronte tutje Krasniqi.

Me fjalë të fuqishme, ai iu drejtua trupit gjykues, duke përmendur vitet e kaluara në burg.

Krasniqi tha se ky është viti i 16-të, nga 75 vitet e jetës së tij, që ka kaluar në burg, me të vetmin qëllim, për lirinë e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

“Sot ndodhem në vitin tim të 16-të të burgimit vetëm pse luftova për liri dhe pavarësi të popullit tim. Po them vitin e 16-të sepse 10 vite e më tepër burg i kam kaluar nga viti 1981 deri në vitin 1991. Të kesh kaluar 16 nga 75 vitet e jetës në burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë, nuk është diçka e vogël, është diçka e madhe”, thoshte ish-zëdhënësi i UÇK-së.

Jakup Krasniqi deklaronte se populli i Kosovës gjatë luftës së fundit nuk ka planifikuar shkatërrim e tortura, por kërkonte jetë në liri dhe pavarësi.

“Zëri im ka qëndruar për lirinë. Kam bërë atë që besoja se e kërkonte fisnikëria njerëzore. Shikoni provat dhe dëshmitë në mënyrë objektive, dhe aty do të gjeni të vërtetën. Drejtësia nuk i frikësohet shqyrtimit, përkundrazi, ajo varet prej tij”.

Ish-kryeparlamentari e përmbylli fjalën e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë me një deklaratë të fuqishme.

“Populli i Kosovës ka kërkuar liri dhe pavarësi, asgjë më shumë”, deklaroi ai.

Krasniqi i drejtohej trupit gjykues me fjalët se “nëse dashuria për liri gjykohet si një krim, atëherë historia do të dënohet”.

Në fund, ai i kërkoi gjykatës ta gjykojnë çdo provë me durim, por pa paragjykim, “sepse aty, nuk do ta gjejnë ndërmarrjen kriminale siç e thotë ZPS, por historinë njerëzore të formësuar për liri”!

“Nëse kjo bindje për lirinë tonë gjykohet drejtë këtu, drejtësia do ta nderojë parimin që krijoji këtë gjykatë. Po e përfundoj fjalën time, duke kërkuar drejtësi e cila shihet qartë. Faleminderit”, ishin fjalët e fundit të Jakup Krasniqit gjatë fjalës së tij përfundimtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, shkruan Klan Kosova.

Dhomat e Specializuara të Kosovës do të shpallin aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, më 16 shtator 2026, në ora 10:00.

Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe për krime ndaj njerëzimit dhe janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

Trupi gjykues, duke dhënë vendimin për 16 shtatorin, pati thënë se e ka shtyrë datën për shkak të vëllimit të madh të provave.

“Në urdhrin për caktimin e datës, Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhej në njoftim e DhSK-së.

Data paraprake për vendimin final ishte caktuar 20 korriku.

Gjykimi ndaj katërshes nisi më 3 prill, 2023.

Të ngjashme