Ende pa u hapur kufijtë, kompanitë turistike kosovare reklamojnë oferta për Shqipëri

Prishtinë | 22 Maj 2020 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Ende pa u hapur kufijtë e Kosovës me shtetet fqinje, e sidomos me Shqipërinë, kompanitë turistike në Kosovë kanë filluar që të reklamojnë oferta për sezonin turistik veror 2020. Këto oferta përfshijnë pushime në muajin qershor në Shqipëri dhe kanë çmime të ndryshme, shkruan Gazeta Metro.  

Që nga 14 marsi kufijtë ajror dhe tokësor të Kosovës janë mbyllur për shkak të pandemisë koronavirus, e cila ka përfshirë globin e gjithashtu edhe Europën.

Mirëpo përveç Kosovës, kufijtë i ka mbyllur edhe Shqipëria e cila ende nuk dihet se kur pritet t’i hapë, e madje nuk dihet se edhe si do të zhvillohet sezoni turistik veror. Shqipëria dihet që ka bregdetin e saj dhe për këtë brenda muajve qershor, korrik dhe gusht, atje numri i turistëve e sidomos shqiptarëve të Kosovës është tejet i madh.

Por edhe pse ende nuk ka një datë për hapjen e kufirit Kosovë-Shqipëri, kompanitë turistike në vendin tonë kanë filluar që të reklamojnë oferta për sezonin turistik veror të vitit 2020.

Janë dy kompani shumë të njohura në Kosovë, që kanë bërë marketing në rrjetet sociale në lidhje me këto oferta.

Njëra nga kompanitë ka ofertë për në Golem të Durrësit, ku edhe cekët që oferta vlen vetëm për muajin qershor. Madje në ofertë janë të caktuara edhe pasionet ditore si dhe zbritjet për fëmijë në mosha të ndryshme.

Tjetra kompani e cila gjithashtu është e njohur, ka reklamuar që nga 19 maj ofertë për në Shëngjin, duke përfshirë të njëjtën meny si kompania e parë.

Kujtojmë që deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 1004 raste pozitive me koronavirus dhe 29 prej tyre kanë vdekur. Derisa edhe në Shqipëri janë konfirmuar 981 raste me COVID-19, ku si pasojë e tij më pas kanë vdekur 31 persona.

Të ngjashme