Ende s’ka “dialog strategjik” ShBA-Kosovë

Prishtinë | 29 Tet 2022 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Kosova është një prej shteteve të Ballkanit Perëndimor me raporte jashtëzakonisht të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë Prishtina zyrtare ende s’ka arritur të avancojë nivelin e bashkëpunimit me Uashingtonin në atë që amerikanët po e quajnë “Dialogu Strategjik”, gjë që kanë arritur ta bëjnë Shkupi dhe Tirana zyrtare.

Në një përgjigje ekskluzive nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë konfirmuar se ende s’është arritur marrëveshje me Kosovën për fillimin e “Dialogut Strategjik”.

Amerikanët thonë se nisjen e një bashkëpunimi të tillë janë duke e shqyrtuar me një numër të madh shtetesh megjithatë për Kosovën potencojnë se aktualisht s’kanë ndonjë informacion specifik.

Derisa theksojnë se në mes të SHBA-së dhe Kosovës ka një raport shumë të ngushtë dhe bashkëpunim në një numër të madh fushash.

“Ekziston një lidhje shumë e ngushtë dhe e fortë në mes të SHBA-së dhe Kosovës dhe ne bashkëpunojmë në një gamë të gjerë temash. Ne jemi duke konsideruar Dialogët Strategjik me një sërë vendesh por s’kemi ndonjë informacion specifik apo detaje të tjera në këtë kohë”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në pyetjet e Gazetës Express se “pse s’ka filluar ende “Dialogu Strategjik” në mes të SHBA-së dhe Kosovës” dhe “nëse ka kushte që një vend duhet t’i plotësojë për të filluar dialogun strategjik”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Dialogun Strategjik”  e kanë nisur me një numër të konsiderueshëm shtetesh. Nga rajoni i Ballkanit Perëndimor janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të cilat kanë arritur të futen në një nivel të tillë të bashkëpunimit me shtetin më demokratik në botë.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në takimin që ka pasur në fillim të muajit qershor të këtij viti me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar për fillimin eDialogut Strategjik në mes të SHBA-së dhe shtetit të tij.

“Kënaqësi të takohem me Sekretarin Blinken në Uashington. Dialogu Strategjik si një moment historik i ri në marrëdhëniet tona dhe përmirësimi i partneritetit strategjik në mes të Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së. Mirënjohje për mbështetjen e përgjithshme të SHBA-së në rrugën tonë drejt BE-së”, kishte shkruar Osmani duke theksuar se si vend aleat në NATO i bën thirrje Rusisë që të ndal agresionin ndaj Ukrainës.

Pas Bujar Osmanit, në fund të korrikut për në Uashington kishin udhëtuar edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ku kishin takuar Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken. Megjithatë nga ky takim me numrin një të diplomacisë amerikane s’ka pasur ndonjë zhvillim sa i përket “Dialogut Strategjik”.

“E nderuar të takojë Sekretarin Blinken përkrah me kryeministrin Kurti për të riafirmuar partneritetin tonë të qëndrueshëm dhe aleancën e pathyeshme me SHBA-në . Shprehim mirënjohjen tonë për përkushtimin amerikan për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe të begatë si një anëtare aspirante e institucioneve euroatlantike”, kishte shkruar shefja e shtetit pas këtij takimi me Sekretarin Amerikan të Shtetit.

Ndërkohë Dialogu Strategjik në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë po vazhdon të thellohet. Për këtë çështje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qëndruar gjatë kësaj jave ministrja për Integrime Evropiane e Shqipërisë, Olta Xhaçka e cila ka takuar Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Lidhur me këtë takim ka shkruar edhe vetë Sekretari Amerikan Blinken duke thënë se i vjen mirë që e sheh miken e tij Olta Xhaçkën dhe që festojnë për suksesin e “Dialogut Strategjik” në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

“ Ne diskutuam për prioritetet e përbashkëta në reformën demokratike, mbrojtjen, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike, ndryshimet klimatike dhe tregtinë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë, një aleate prej kohësh”, ka shkruar Sekretari Amerikan, Antony Blinken.

Në kuadër të Dialogut Strategjik në mes të SHBA-së dhe Shqipërisë është diskutuar edhe për mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen e Demokracisë, thellimin e partneritetit për çështje të sigurisë, bashkëpunimin për “cyber security”, forcimin e lidhjeve transatlantike, progresin në rrugën drejt Integrimit Evropian dhe vendet aspirante të Ballkanit Perëndimor dhe për çështjen e ndryshimeve klimatike.

Në faqen e Departamentit të Shtetit ndërkohë ka një sërë njoftimesh për fillimin e Dialogëve Strategjik mes Amerikës dhe disa shteteve të tjera.

Të ngjashme