Ende s’ka vendim ndaj policëve që e arrestuan me dhunë para fëmijëve qytetarin në Prishtinë

Foto nga arkiva
Prishtinë | 29 Sht 2020 | 18:03 | Nga Ekonomia Online

Ende nuk dihet nëse zyrtarët policor i kanë tejkaluar autorizimet policore kur para dy jave kishin përdorur forcë ndaj një qytetari në sheshin “Nënë Tereza” të Prishtinës në prani të fëmijëve.

Këtë rast hetuesit e Inspektorit Policor të Kosovës, ende janë duke e hetuar dhe tashmë janë marrë disa veprime.

Në një përgjigje me shkrim për gazetën Objektiv, nga ky institucion thonë se janë intervistuar zyrtarët policor të përfshirë në këtë incident dhe janë siguruar video-incizimet brenda stacionit policor.

“Në vazhdën e veprimeve hetimore, hetuesit e Departamentit të Hetimeve pranë IPK-së kanë ndërmarrë një mori veprimesh hetimore në bazë të mandatit ligjor dhe në koordinim me prokurorin kompetent, duke përfshirë sigurimin e video-incizimeve të kamerave të sigurisë në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, marrjen e deklaratës së ankuesit, sigurimin e shkresave të lëndës e cila posedon edhe deklarimet e  zyrtarëve policor lidhur me këtë incident”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Për ta ndriçuar këtë rast IPK është duke u konsultuar edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

“IPK, aktualisht për këtë incident është në fazën e hetimit drejt ndërmarrjes  së veprimeve të nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Gazeta Objektiv ka pyetur edhe Prokurorinë e Prishtinës se deri ku kanë hetimet për rastin në fjalë, por që nga ky organ i akuzës nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët policor kanë hasur në qytetarin i cili ka qenë pa maskë mbrojtëse dhe është arrestuar nga policia me dyshimin për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

E qytetari që ishte ankuar në IPK kishte kërkuar trajtim mjekësor në QKUK.

Po ashtu edhe njëri zyrtar policor kishte pësuar lëndime trupor gjatë arrestimit të qytetarit.

Të ngjashme