Në vazhdën e aktiviteteve për përmirësimin e mjedisit afarist dhe lehtësimin e punës së bizneseve në Kosovë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si institucion koordinues i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ka ftuar asociacionet e biznesit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të diskutat çështjet e ngritura nga komuniteti i biznesit lidhur me furnizimin e rregullt dhe cilësor me energji elektrike.
Me këtë rast, ministrja Hykmete Bajrami ka thënë se energjia elektrike është parakusht për zhvillimin ekonomik të secilit vend.
Ajo tha se edhe pse vitet e fundit ka pasur një përmirësim sa i përket furnizimit me energji elektrike, e kanë parë të domosdoshme ndërmarrjen e hapave konkret për të prurë gjendjen në nivelin e kënaqshëm.
“Ne e dimë që energjia elektrike është parakusht për zhvillim ekonomik, situata me furnizim është më e mirë se e para disa viteve megjithatë ne e kemi konsideruar që me ndërmarrjen e disa masave të shpejta këtu ka hapësirë për përmirësim. Në mbledhjen e rregullt të këshillit kombëtar për zhvillim ekonomik nuk kemi pasur prezent zyrën rregullatorit të energjisë. Çështjet të cilat janë ngritur në këtë mbledhje janë çështja e maksigrafit ku bizneset kanë kërkuar ta largojnë pasi sipas tyre është i panevojshëm dhe bënë bizneset që të paguajnë një sasi të energjisë elektrike e cila nuk shpenzohet”, ka thënë Bajrami.
Kërkesat e komunitetit të bizneseve i ka përkrahur edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, që është shprehur i kënaqur me furnizimin me elektricitet edhe në kushte jo të mira klimatike.
“Pra gjithmonë ne kemi shikuar nga tërheqja e dy parimeve themelore, e para është sigurimi i furnizimit të rregullt dhe cilësor me energji elektrike dhe e dyta nga pikëpamja e afortabilitetit e përshtatshmërisë që më së shumti përkthehet në servisimitetin që kanë çështjet sociale që janë në vendin tonë në mqnyrë që çmimi i kësaj energjie elektrike të jenë të përballueshme. Në të gjitha negociatat që kemi zhvilluar deri më sot kanë pasur deri më sot i kemi paraqitur këto dy parime dhe duke i paraqit ato ne kemi ardhur në fazën përfundimtare që besoj që javën tjetër do të caktojmë datën se kur do t;i nënshkruajmë marrëveshjet komerciale me investitorin amerikanë”,ka thënë Stavileci.
Kryetari i komisionit për zhvillim ekonomik Muhamet Mustafa në fjalimin e tij tha se për bizneset duhet të jetë një tarifë e mesme dhe e pandryshueshme nga stina e verës dhe ajo e dimrit.
“Tarifat verë e dimër mendoj që duhet të ndryshohen, duhet me qenë një tarife e pandryshueshme për bizneset, do të duhet të ishte një tarifë e njëjtë konstantë për tërë vitin, që të mos jenë të ngarkuara verës me një tarifë shumë të ultë dhe dimrit me një tarifë ekstra të lartë”, ka thënë Mustafa.
Kurse Krenar Bujupi nga ZRRE ka thënë se mangësitë e sektorit energjetik kanë ndikuar që të ketë probleme të llojit të tij.
“Mangësitë që i kemi pasur në sistem, mangësitë e investimeve për një kohë të gjatë, mangësitë e sistemit të kaluar të probleme të gjitha që i kemi normalisht se në sektorët ku ka të bëjë me infrastrukturë dhe sidomos ai energjetik dëshirojnë kohë që të rregullohen të gjitha gjërat”, ka thënë Bujupi.
Në fund ministrja Bajrami ka tërhequr vërejtën përfaqësuesit të ZRRE-së i cili sipas Bajramit nuk kishte qenë as pjesë e diskutimit të thirrur nga këshilli kombëtar për zhvillim ekonomik. Ajo ka bërë ftesë që kryetari i kuvendit Kadri Veselit të thërras në raportim Zyrën e rregullatorit të energjisë për rregullimin e të gjitha probleme të cilat janë shfaqu deri më tash.