Pas përjashtimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) rrezikon të përjashtohet shumë shpejt edhe nga Asociacioni Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Ky institucion evropian më 19 prill do të vendosë nëse Agjencia e Kosovës për Akreditim do të jetë edhe më tutje pjesë e saj ose jo, shkruan sot Koha Ditore.
Agjencia e Kosovës për Akreditim është bërë pjesë e ENQA-s në vitin 2014.
Drejtoresha e Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Maria Kelo, i ka thënë “Kohës Ditore” se vendimi për Agjencinë e Kosovës për Akreditim do të merret në mbledhjen e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të ENQA-s.
“Vendimi i ENQA-s mbi statusin e AKA-së është planifikuar të mbahet në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme ENQA, më 19 prill. Pas kësaj date dhe pas njoftimit formal të agjencisë, informacioni do të publikohet edhe në faqen e internetit të ENQA”, thuhet në përgjigjen e saj.