Analisti politik Artan Muhaxhiri e ka komentuar fotografinë e sotme të takimit të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit duke thënë se e sheh si një tendencë të këtyre dy partive për t’i treguar opinionit se po punohet. Muhaxhiri shtoi se presioni ndaj dy partive që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit është shtuar dhe kompromisi është i nevojshëm.
Artan Muhaxhiri u shpreh në Klan Kosova se tani fillon presioni dhe emocionet e zgjedhjeve të 6 tetorit janë zbehur dhe realiteti i krijimit të kabinetit qeveritar dhe përgjegjësitë dhe premtimet janë në vëmendje.
“Entuziazmi dhe emocionaliteti i 6 tetorit ka filluar që të zbehet dhe natyrisht që kjo është tejet normale. Tani këto fotografi, si kjo e sotmja, më shumë e shoh si tendencë të koalicionit LDK-VV që të tregojnë se diçka po punohet. Është një presion shumë i madh ndaj këtyre dy partive. E para është krijimi i kabinetit qeveritar, pra kush do të jenë këta njerëz të rinj të cilët do ta kenë përgjegjësinë që ta institucionalizojnë këtë frymë dhe shpresë të qytetarëve të Kosovës që u dëshmua më 6 tetor. Kush do të jenë këta ministra të cilët do të provojnë t’i realizojnë ato premtime të mëdha që janë dhënë qoftë nga Vetëvendosja dhe LDK’ja – si çrrënjosja e korrupsionit, zhvillimi ekonomik, i arsimit, i shëndetësisë dhe të tjera”.
Për Muhaxhirin kompromisi mes dy partive rreth çështjeve të mëdha politike se LDK’ja e VV’ja e kanë të pashmangshëm
“Në anën tjetër, janë edhe temat e mëdha si dialogu dhe çështja e Asociacionit për të cilat LDK’ja dhe Vetëvendosja domosdoshmërisht do të duhet të gjejnë një kompromis nëse synojnë të bashkëqeverisin”.
Muhaxhiri në Analizën Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se është një presion edhe i qytetarëve ndaj LDK’së dhe Vetëvendosjes.
“Qytetarët i kanë sytë drejt këtyre dy partive duke thënë ‘i fituat zgjedhjet, ju dhamë besimin dhe tani na e dëshmoni se ju e keni me plot vizion dhe racionalitet tentimin e ndryshimit të jetës institucionale dhe këtyre ndryshimeve pozitive’”.
Muhaxhiri ka treguar se ku e sheh të pozicionuar Vjosa Osmanin në mes të dy posteve që janë përfolur si të mundshme për të – kryeparlamentare apo Ministre e Punëve të Jashtme.
“Të dyja postet janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por natyrisht se posti i kryeparlamentares në hierarkinë shtetërore është më i rëndësishëm. Posti i kryeparlamentares është më i rëndësishëm, por në disa periudha është më pasiv dhe nuk krahasohet me dinamikën që mund ta ketë një Ministre e Punëve të Jashtme, posaçërisht në këtë periudhë kur po flasim për dialog. Ai ose ajo që do të bëhet Ministër/re i Punëve të Jashtme do të qëndrojë më shumë në Bruksel ose Washington se sa në Prishtinë sepse me gjithë këtë investim të Amerikës, gatishmëri të BE’së dhe aleatëve tanë dhe posaçërisht presioneve të mëdha që janë duke u bërë ndaj Kosovës dhe Serbisë, Ministri/ja e Punëve të Jashtme do të ketë peshë jashtëzakonisht të madhe”.