Klubin e basketbollit Rahoveci po vazhdon ta përcjellë entuziazmi i stinorit të shkuar. Madje, në stinorin që po vjen ka ambicie edhe më të mëdha. Tash për tash është klubi i vetëm që ka lëvizur në drejtim të ndërtimit të skuadrës.
Në katër ditët e fundit ka prezantuar tri përforcime. Të enjten, nënkampioni i Kosovës në basketboll, njoftoi për arritjen e marrëveshjes me basketbollistin amerikan, Justin Gray, që edicionin e shkuar luajti në Angli tek Bristol Flyers, shkruan sot “Koha Ditore”. Para tij, “vreshtarët” prezantuan edhe kroatin Jure Gunjina dhe plejmejkerin Leonard Mekaj, i cili edicionin e fundit ishte pjesë e Golden Eagle Yllit.
Në fakt, te Rahoveci kanë paralajmëruar se ky është vetëm fillimi, pasi brenda dy javëve pritet të kompletojnë ekipin që do të jetë në dispozicion të trajnerit, po ashtu të angazhuar së fundi, Neven Plantak. Përgatitjet janë planifikuar të nisin më 20 gusht.
Pos përforcimeve, pjesë e Rahovecit kanë mbetur lojtarët Rron Grapci, Arian Qallaku e Atik Koshi. Ata i kanë vazhduar kontratat. Te Rahoveci pritet të jenë pesë lojtarë të huaj dhe sipas kryetarit Alban Rama, ekipi në edicionin e ri do të futet me synime të mëdha.