Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, deklaron se ka marrë konfirmim edhe nga Biblioteka e Firencës se Avni Puka, dekan i Juridikut, nuk ka askund në Itali disertacion të temës së doktoratës.
Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani e ka denoncuar Avni Pukën, Dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, se ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali në Universitetin “La Sapienza”. Si përgjigje, ky i fundit ka paraqitur në publik një diplomë dhe ka paralajmëruar se ndaj Hasanit do të ndjek rrugët ligjore.
Në emisionin “Konfront” në KTV ai thotë se disertacioni i dekanit Puka nuk ekziston në Itali.
“S’mund të jesh doktor pa disertacion, pastaj është kundër ligjit me përdor diplomë siç e ka përdorë, kur i kanë ngarku në uebfaqen e fakultetit. Duhet me nostrifiku, unë kam lyp diseraticion. Kam marrë konfirmimin përfundimtar në Bibliotekën Qendrore të Firencës dhe në Romë që thotë asnjëherë, disertacioni i z.Puka nuk është, nuk ekziston”, deklaroi ai në “Konfront”.
Sipas Hasanit, diploma që e ka paraqitur Puka është fiktive.
“S’ka universitet në Europë… që disertacionin e doktoratës nuk e deponon në fakultet, në bibliotekë dhe online. Ky e ka përdorë atë dokument fiktiv”, u shpreh ai.
I pyetur për paralajamërimin e Pukës se mund ta padis, Hasani thotë se Puka s’ka disertacion.
“Unë i kam thënë, ai do padis as sa Lumezi, sepse këtë diplomë ai duhet me kërku nostrifikim dhe me sjellë disertacionin me shkrim, kur ka nis studimet kur ka përfundu. Ai është një dokument i cili nuk ka disertacion, sepse i kam letrat që ma konfirmojnë bibliotekat e Romës. Nuk ekziston askund në territor të Italisë”, u shpreh ai.
Si rrjedhojë, Hasani pohon se Puka është “shembull i keq dhe dekurajues që të rinjtë të studiojnë tek ne”.