Era Istrefi tenton sërish suksesin/ Pasi “Ultra Records” i prishi kontratën, këngëtarja i rikthehet muzikës me staf të ri

Prishtinë | 03 Pri 2022 | 11:13 | Nga Ekonomia Online

Era Istrefi ka lajmëruar rikthimin e saj në muzikë. “Bebe” titullohet kënga që Era ka publikuar, duke shënjuar kështu nisjen për së dyti të një karriere që dikur shkëlqente.

Prej vitesh ajo i mungon tregut, teksa vetë Era ka shpjeguar disa kohë më parë se kontratat me shtëpitë muzikore ndërkombëtare e kanë penguar për të sjellë këngë të reja, por nga ana tjetër, studioja ka bërë me dije se artistja nuk është më pjesë e kompanisë së tyre.

Këtë e ka konfirmuar vetë shefja e distribuimit muzikor të “Ultra Publishing International”, Sony Okon. Okon i është përgjigjur pyetjes së një fansi të Erës në “Twitter”, i cili kishte shkruar:

“Doja vetëm të bëja një pyetje në lidhje me ‘Ultra Records’. A është këngëtarja Era Istrefi ende e kontraktuar në kompaninë regjistrimit.Ajo nuk ka publikuar ndonjë këngë të re që nga viti 2019. Thjesht pyes pasi ajo është një nga artistet e mia të preferuara”.

Ndërkohë, përfaqësuesja e “Ultra Music”, i është përgjigjur duke shkruar: “Fatkeqësisht, ajo nuk është në ‘Ultra’ më, kështu që nuk kam ide për projektet e saj të ardhshme. Më vjen keq, do të doja të të kisha dhënë lajme të mira”.

Era Istrefi preku famën ndërkombëtare me debutimin e këngës “Bonbon”. Ajo në verën e vitit 2018 performoi në finalen e Kampionatit Botëror këngën përcjellëse të atij kampionati “Live it up”, në bashkëpunim me Will Smith dhe Nicky Jam.

Pas kësaj performance spektakolare, Era vazhdoi edhe me publikimin e këngëve të tjera të suksesshme, si dhe disa bashkëpunimeve ndërkombëtare. Por që nga ky moment, karriera e saj ndaloi, duke mos u shfaqur më askund.

Tashmë ajo ka vendosur ta riprovojë edhe njëherë të prekë majat, vetëm se këtë herë pa gjigantin e muzikës që prej vitesh e menaxhoi.

Mbetet për t’u parë se si do të vijojë karriera e Erës tashmë, që ka ndryshuar totalisht stafin e saj, duke tentuar edhe njëherë famën ndërkombëtare.



Fjalë Kryesore:

Të ngjashme