Presionin e shtetit të Turqisë për ekstradimin e gylenistëve, ashtu sikurse Kosova, është duke e përjetuar edhe Bosnja dhe Hercegovina.
Mirëpo, për dallim nga Kosova, ku liderët shtetërorë deklaruan se nuk kishin informata për deportimin e gjashtë shtetasve turq, përfaqësuesit shtetërorë të Bosnjë dhe Hercegovinës janë duke treguar publikisht për hapat që janë duke i ndërmarrë.
Dhjetra qytetarë turq që jetojnë në Bosnjë janë në llupën e agjencive të sigurisë dhe policisë pasiqë atje tashmë kanë arritur kërkesat për ekstradimin e tyre në Turqi.
Siç raporton e përditshmja bonshjake “Dnevni Avaz” deri tek këto kërkesa erdhi me arsyetimin se shtetastit turq janë përkrahës të klerikut fetar ,Fethullah Gulen.
Ky i fundit konsiderohet nga autoritetet turke si përgjegjës për përpjekjet e grusht-shtetit në Turqi dhe organizata e tij “Hizmet” si terroriste.
Pritshmëritë se Bosnja do të ndalojë plotësisht funksionimin e mbështetësve të Gulenit, i ka shprehur gjatë një vizite në Sarajevë javën e kaluar edhe kryeministri turk, Binali Yildirim.
Ministri i Sigurisë, Dragan Mektiq thotë se të gjitha kërkesat drejtuar autoriteteve boshnjake nga Turqia për shtetasit e këtyre vendeve, të cilët i akuzojnë rreth përpjekjes së puçit të para dy viteve, e mohojnë mikpritjen në Bosnje.
Ai pohoi se agjencitë policore kompetente të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe shërbimet e tjera kryen disa aktivitete edhe para vizitës së kryeministrit turk në këtë vend.
“Ka një kohë të gjatë që jemi duke ndërmarrë masa të caktuara, por kjo është në domenin operativ dhe nuk mund të jap detaje”.
“E vetmja gjë që mund të them është se ne i kemi ligjet tona në bazë të të cilave veprojmë dhe do t’i marrim për bazë të gjitha faktet, pa marrë parasysh se çfarë kërkon prej nesh ndonjë shtet i caktuar”, ka thënë Mektiq.
Dnevni Avaz, duke iu referuar burimeve të saja raporton se në listën e personave ekstradimin e të cilëve e ka kërkuar Turqia, kryesisht shtetasit e saj të cilët në të gjithë vendin janë në krye të disa kompanive dhe institucione arsimore.
Disa prej tyre janë deportuar në Turqi dhe ata që nuk janë deportuar, kanë pasur në pronësi kompani në Bosnje, janë përballur me me presione të ndryshme, duke i mbyllur ato masivisht.
Gjatë javës së shkuar, Kosova deportoi për në Turqi gjashtë shtetas turq, pesë nga ta ishin drejtues dhe profesorë të shkollës “Mehmet Akif” kurse një tjetër mjek.