Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan sot përmes një video-mesazhi tha se platformat e mediave sociale pa asnjë inspektim të ekzekutuar tani kërcënojnë demokracinë, paqen sociale dhe sigurinë kombëtare të shteteve.
“Ashtu siç nuk mbështetemi plotësisht te të huajt në industrinë e mbrojtjes dhe çështjet ushtarake, ne nuk mund t’ua lëmë çështjen e komunikimit të tjerëve”, tha Erdogan në një video-mesazh për Forumin Mediatik të Këshillit Turk të mbajtur në Stamboll.
Erdogan shprehu shpresën që forumi treditor i mediave, i organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve të Turqisë, të jetë i dobishëm në forcimin e solidaritetit midis vendeve.
Ai deklaroi se miliona njerëz “të pambrojtur” në mbarë botën janë në depresion për shkak të lajmeve të rreme dhe të shtrembëruara, duke pësuar trauma të rënda.
“Ashtu si çështjet e tjera strategjike, ne duhet t’i marrim çështjet në lidhje me media dhe komunikimin në duart tona”, tha Erdogan.
Mundësitë e bashkëpunimit në media, serialet televizive dhe sektorët e filmit në botën turke si dhe mediat sociale dhe lufta e përbashkët kundër dezinformimit janë ndër temat që do të diskutohen gjatë forumit.
Këshilli Turk u krijua në vitin 2009 si një organizatë ndërqeveritare me një synim kryesor për të promovuar bashkëpunimin gjithëpërfshirës midis shteteve turqishtfolëse. Ai përbëhet nga Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani, Turqia dhe Uzbekistani si vende anëtare dhe Hungaria si shtet vëzhgues. /AA/