Erdogan: Sanksionet e Evropës ndaj Rusisë, fajtore për krizën energjetike

Prishtinë | 06 Sht 2022 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, të martën, tha se për krizën energjetike në Evropë, janë fajtore sanksionet që shtetet evropiane vendosën ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës – një linjë e ndjekur nga vetë Kremlini.

Erdogan ka mbajtur marrëdhënie të mira pune me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa përpiqet të qëndrojë neutral në konflikt dhe të furnizojë Ukrainën me armë dhe dronë luftarakë.

“Qëndrimi i Evropës ndaj Putinit, sanksionet e saj, e çuan Putinin – me dëshirë ose jo – në pikën që të thoshte: ‘Nëse ju bëni këtë, unë do ta bëj atë’, tha Erdogan.

“Ai po përdor të gjitha mjetet dhe armët e tij. Gazi natyror, për fat të keq, është një prej tyre”.

Komentet e Erdogan i bëjnë jehonë atyre të shprehura nga Kremlini këtë javë, shkruan The Guardian, përcjell Klankosova.tv

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, fajësoi të hënën ndalimin e dërgesave të gazit nga Rusia në Gjermani nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream për “sanksionet që u vendosën kundër vendit të tij”.

Rusia përbënte gati gjysmën e blerjeve të gazit natyror të Turqisë vitin e kaluar.

Turqia u zotua të kalojë ngadalë në pagesën e importeve ruse me rubla në një samit midis Erdogan dhe Putin në fillim të këtij muaji.

Analistët besojnë se marrëveshja do të sigurojë që Rusia do të vazhdojë të furnizojë Turqinë me gaz përmes tubacionit TurkStream që kalon nën Detin e Zi.

Erdogan tha se nuk priste që Turqia të përjetonte ndonjë mungesë energjie këtë vit.

“Unë mendoj se Evropa do të ketë probleme serioze këtë dimër”, tha Erdogan. “Ne nuk kemi një situatë të tillë”.

Rritja e çmimeve globale të energjisë, e shkaktuar nga ndërprerjet e furnizimit rus, ka shkaktuar një krizë ekonomike në Turqi, e cila ka parë një rritje vjetore të inflacionit në 80 për qind dhe rënien e vlerës së lirës.

Të ngjashme