Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kritikoi ashpër planin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të formuar një ushtri të udhëhequr nga organizata terroriste PKK/PYD në Siri, duke paralajmëruar kundërpërgjigje të forcave turke ndaj këtyre elementeve terroriste, raporton AA, përcjellë Klan Kosova.
“SHBA-të pranuan formimin e ushtrisë së terrorit përgjatë kufijve të shtetit tonë. Ajo që kemi detyrë ta bëjmë është ta mbysim këtë ushtri terrori ende pa lindur”, tha Erdoğan në ceremoninë e hapjes së një fabrike në Ankara.
“Ne u kemi thënë të gjithë aleatëve dhe miqve tanë që të mos qëndrojnë mes nesh dhe terroristëve e të mos hynë mes nesh dhe tufave vrastare. Përndryshe, ne nuk do të jemi përgjegjës për ngjarjet e padëshiruara që mund të ndodhin. Ulni vetë flamujt tuaj në bazat e organizatës terroriste, në mënyrë që ne të mos detyrohemi t’ua sjellim. Largoni shenjat tuaja nga uniformat e terroristëve, në mënyrë që të mos jemi të detyruar që ne t’i varrosim ata që janë së bashku me terroristët”, shtoi presidenti turk.
Erdoğan paralajmëroi vazhdim të aktiviteteve të forcave turke kundër elementeve terroriste në Siri.
“Gjithsesi, aktualisht jemi duke goditur me obusë, e do të vazhdojmë të godasim tutje. Vallë do të tërhiqemi dhe do të presim që ju t’i godisni? Ne u kemi rekomanduar zhdukjen e këtyre organizatave terroriste. U kemi thënë se asnjëherë nuk do të pranojmë që organizata terroriste e quajtur DEASH të mposhtet përmes një organizate tjetër terroriste. Nëse ne jemi partnerë strategjikë dhe model, atëherë këtë punë duhet ta bëni me ne”, potencoi më tej Erdoğan.
Ai tha se Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) së shpejti “do ta zgjidhin çështjen e Afrinit dhe Munbixhit”, duke thënë se një operacion mund të fillojë në çdo çast.
“Përgatitjet tona kanë përfunduar dhe operacioni mund të përfundojë në çdo çast. Më pas, radha do t’u vjen edhe rajoneve të tjera”, shtoi presidenti i Turqisë, Erdoğan.
Ndryshe, të dielën, koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-të kundër organizatës terroriste DEASH njoftoi se do të krijojë një forcë të re sigurie kufitare prej 30 mijë trupash me Forcat Demokratike Siriane (FDS), grupin e mbështetur nga SHBA-të dhe të kontrolluar dhe drejtuar nga organizata terroriste PKK/PYD në Siri.
“Koalicioni po punon së bashku me FDS-në për të krijuar dhe trajnuar Forcën e Re të Sigurisë Kufitare të Sirisë (BSF)”, ka thënë në një deklaratë me shkrim për AA Ryan Dillon, zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të, zyrtarisht i njohur si Task Forca e Përbashkët e Kombinuar – Operacioni Vendosmëria e Natyrshme.
“Aktualisht, ka rreth 230 individë që trajnojnë në klasën inauguruese të BSF-së, kurse qëllimi përfundimtar i madhësisë së saj është rreth 30 mijë”, ka shtuar ai.