Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të premten se turqit duhet t’i mbajnë të gjitha kursimet në lira dhe se paqëndrueshmëria e fundit e shkallës së këmbimit është kryesisht nën kontroll, pasi lira ra në masë të ndjeshme në dy muajt e fundit.
“Dua që të gjithë qytetarët e mi t’i mbajnë kursimet në paratë tona, t’i menaxhojnë të gjitha bizneset e tyre me paratë tona dhe e rekomandoj këtë”, tha presidenti turk në një fjalim që e mbajti në Stamboll.
“Të mos e harrojmë këtë: përderisa ne nuk i marrim paratë tona si pikë referimi, jemi të dënuar që të përmbytemi. Lira turke, paraja jonë, kjo është ajo me të cilën do të shkojmë përpara. Jo me këtë valutë të huaj, me atë valutë të huaj”, shtoi ai.
Duke iu drejtuar një grupi biznesor, Erdogani gjithashtu u bëri thirrje turqve që t’i sjellin kursimet e arit në sistemin bankar dhe e përsëriti qëndrimin e tij se shkalla e interesit është duke e shkaktuar inflacionin, shkruan Reuters.
“Për ca kohë, kemi qenë duke e zhvilluar betejën e mbrojtjes së lirës turke nga cikli i shkallës së lartë të interesit dhe inflacionit të lartë dhe për vendosjen e saj në rrugën e rritjes përmes investimeve, punësimit, prodhimit, eksporteve dhe tepricës së tanishme të llogarive”, tha presidenti turk.
“Shkalla e interesit poshtë, shkalla e interesit lart. Miqtë e mi, ju lus që ta largojmë këtë nga librat tanë. Shkalla e interesit i bën të pasurit më të pasur e të varfrit më të varfër”, shtoi ai.
Ndryshe, lira shënoi rënie te vlerës për të pestën ditë radhazi të premten, duke e dobësuar edhe më shumë rritjen e madhe të javës së kaluar. Kriza e valutës është nxitur nga vendimi i Bankës Qendrore për ta ulur shkallën e interesit, pas trysnisë së Presidentit Rexhep Erdogan në përpjekje për t’i rritur eksportet dhe huadhënien.