Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka kritikuar “mosveprimin” e Shteteve të Bashkuara lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll muaj më parë.
Ai i ka thënë transmetuesit shtetëror turk, TRT, më 3 shkurt se ai nuk e kupton “heshtjen” e ShBA-së pas ngjarjes që ka ndodhur.
“Ne dëshirojmë të sqarohet gjithçka sepse ka ndodhur një mizori, një vrasje. Vrasja e Kashoggit nuk është e zakonshme”, është shprehur ai, transmeton rel.
Khashoggi, kritik i mirënjohur i Qeverisë saudite, që ka jetuar në Shtetet e Bashkuara, është vrarë në konsullatën saudite më 2 tetor të vitit të kaluar.
Trupi i tij nuk është gjetur ende.
Sauditët fillimisht kanë mohuar vrasjen e Khashoggit në konsullatë, mirëpo pas të dhënave të fuqishme dhe dënimit ndërkombëtar, ata kanë pranuar vrasjen, duke thënë se ajo ka qenë rezultat i një “operacioni të ashpër”.
Megjithatë, Riadi ka mohuar pretendimet se princi saudit, Mohammad Bin Salman ka qenë i lidhur me vrasjen.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj udhëheqësisë saudite, dhe është zotuar për të ruajtur bashkëpunimin, duke mos rrezikuar lidhjet ekonomike, çka potencialisht do të mund të tensiononin lidhjet mes dy shteteve.