Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka reaguar pas votimit për nënkryetarët e Kuvendit, duke kritikuar deputetin e Vetëvendosjes, Ardian Golën.
Sadiku ka thënë se më herët kishte pasur respekt për Golën dhe e kishte konsideruar atë si një dallim brenda grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
“E kam pasë një respekt për Ardian Golën. Kam mendu që, në një grup me shumë njerëz të pakulturuar e të paarsimuar, ai përbënte një dallim”, ka shkruar Sadiku.
Ai ka thënë se kishte shpresuar që brenda Vetëvendosjes të kishte ende persona që do të qëndronin përballë, siç e quan ai, së keqes dhe do ta vendosnin arsyen mbi direktivat partiake.
“Kam shpresu që, sado pak, brenda VV-së ka ende njerëz që qëndrojnë stoikë përballë së keqes dhe që e vendosin arsyen para direktivës partiake”, ka deklaruar Sadiku.
Sipas tij, gjatë seancës së sotme, 101 deputetë votuan për Ardian Golën si nënkryetar të Kuvendit.
“Sot, 101 deputetë votuam për Ardian Golën si nënkryetar të Kuvendit. Vetëm pesë minuta më vonë, po i njëjti Ardian Gola nuk votoi për kolegen e tij, Çitaku, duke kontribuar kështu në bllokimin e konstituimit të Kuvendit.
Dhe pikërisht këtu është zhgënjimi.
Gola, si nënkryetar i sapozgjedhur, e di shumë mirë që kjo nuk ka kuptim. E di rolin e nënkryetarëve. E di çfarë po bëhet. E di edhe pasojën.
Por, kur erdhi momenti me zgjedh mes arsyes dhe direktivës partiake, nuk pati guximin dhe integritetin me vepru ndryshe.
Dija pa guxim nuk mjafton. As arsimimi pa integritet.
Dobët, z. Gola.
Shumë dobët”, ka shkruar deputeti i LDK-së.