Erolld Belegu ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës për të vazhduar punën si këshilltar i jashtëm politik i kryeministrit të Kosovës.
Njoftimin për dorëheqje nga posti i kryetarit të FBK-së e ka dhënë vet Belegu në “Facebook”.
“Duke dashur që të vazhdoj të komunikoj në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë me ju dhe me opinionin kam vendosur që në mënyrë publike t’ju njoftoj për vendimin tim të radhës. Siç e dini, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, më ka emëruar si Këshilltar i Jashtëm Politik. Më tu emëruar në këtë post, edhe pse angazhimi im është pro bono, gjegjësisht në baza vullnetare, këtë angazhim e kam kuptuar si nder që më është bërë dhe që nga fillimi e kam marr me shumë seriozitet dhe përkushtim. Rrjedhimisht, me vetë iniciativë i jam drejtuar për opinion Agjencionit Kundër Korrupsion, lidhur me mundësinë e ekzistimit të konfliktit të interesit ndërmjet angazhimeve të mia jashtë Qeverisë së Kosovës”, thuhet në postimin e Belegut.
Tutje Belegu ka thënë se AKK i ka dërguar opinionin e saj ku thuhet se “ushtrimi i funksionit kryetar të FBK-së krahas ushtrimit të funksionit-Këshilltar i Jashtëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është i ndaluar”.
“Duke dashur që të sillem në përputhje me ligjin dhe duke shprehur konsideratë për mendimin e AKK-së, ndaj të cilit, sinqerisht thënë, kam shumë rezerva, unë kam vendosur të respektoj këtë opinion dhe të jap dorëheqje nga posti i Kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, detyrë të cilën po ashtu e kam kryer pa pagesë, konform statutit të federatës. Duke dashur që të ruaj reputacionin e shkëlqyeshëm që Federata e Basketbollit të Kosovës e ka në opinionin vendor dhe tek partnerët tanë në FIBA dhe organizmat tjerë ndërkombëtarë, për të cilin besoj se ekipi i udhëhequr nga unë ka merita të konsiderueshme, si dhe reputacionin tim personal, kam vendosur të tërhiqem nga ky post dhe i lë organet e FBK-së, që sipas Statutit dhe akteve tjera normative në fuqi, të procedojnë me organizimin e Kuvendit Zgjedhor”, thuhet më tej postimin e tij.
Belegu ka thënë se është i bindur dhe dëshiron të kërkojë nga Kuvendi që Bordi ta vazhdojë punën e shkëlqyer ekipore për vazhdim të rritjes dhe zhvillimit të basketbollit në Kosovë.
“Jam i lumtur dhe krenar që sot zyra e FBK-së është e organizuar në mënyrë të shkëlqyeshme me personel të ri, të shkolluar, të të dy gjinive me përvojë në sportin e basketbollit dhe ku të gjithë flasin së paku një deri në tri gjuhë ndërkombëtare. Të ardhurat e tyre janë mbi mesataren vendore ,punojnë në zyrat më moderne që ka ndonjë federatë sportive në Kosovë dhe janë individ të shkëlqyer e të dedikuar në punën që e bëjnë. Së bashku kemi arritur që për këto pak vite të trefishojmë buxhetin e federatës. Dua që ti falënderoj stafin, Bordin, komisionet, gjyqtarët, klubet dhe shoqatat, të gjithë anëtarët e FBK-së për përkrahje maksimale gjatë periudhës 5 vjeçare në krye sa isha në krye të saj në këtë dy mandatet e fundit.Falënderim i veçantë shkon për sponsorët dhe miqtë tjerë të FBK-së që na qëndruan besnik dhe mundësuan stabilitetin e institucionit tonë. FBK-së i dëshiroj suksese në të ardhmen dhe njëkohësisht shprehi gatishmërinë time të parezervë që të ndihmoj në të gjitha mënyrat që mundem dhe më lejohet”, thuhet në fund të postimit në Facebook të Belegut.