Plazhi Semanit pas pak vitesh mund të mos jetë më. Erozioni i detit, veçanërisht në tri dekadat e fundit, ka shtuar agresivitetin duke shkatërruar brezin e rërës dhe pyllin. Kulla që shohim në këto pamje është ndërtuar rreth viteve 75-76 dhe gjendej shumë metra larg nga bregu.
Edhe këto trungje të thara janë një tjetër dëshmi e këtij fenomeni të shkatërrimtar prej të cilit kemi humbur qindra hektarë tokë.
Eksperti i mjedisit Genci Pina tha se “Brezi pyjor ka qenë gati 70 metra larg nga kulla e ujit, ndërsa sot kulla e ujit është brenda në det, ndërsa brezi bregdetar nga kulla ka qenë rreth 200 metra.”
Semani nuk është i vetmi që është prekur nga erozioni. Një pjesë e madhe e bregdetit tonë ka pësuar ndryshime, sidomos brigjet ranore te Adriatikut. Pas një vëzhgimi që kemi bërë edhe në grykëderdhjen e lumit Shkumbin, specialistët thonë se shkaktari kryesor i këtij fenomeni është shfrytëzimi i inerteve të lumenjve. Gërryerja pa kriter prish ekuilibrat mes lumit dhe detit duke kërcënuar kështu qindra kilometra katrorë tokë.
Eksperti i mjedisit Prof. Dr Sherif Lushaj tha se “Në Shkumbin në një vit janë gërryer nga shtrati I lumit deri në 700 ton metër kub inerte për çdo vit, ndërsa sasia e tyre që shkon në det është më e vogël. Ky lum kontrollon një gjatësi të bregut prej 14 km breg dhe po mos ketë inerte do të ketë erozion .”
Ndryshimi i rrjedhës së lumenjve, ndërtimet pa kriter, mos pastrimi i grykëderdhjeve të kanaleve, shpyllëzimi i sipërfaqeve, dhe ndryshimet klimatike janë të tjerë faktorë që stimulojnë përparimin e detit drejt tokës, por edhe tërheqjen e tij në disa vende. Përmes hartave, profesor Lushaj na tregon disa zona të prekura nga ky fenomen, nga vitet 2009 deri në vitin 2016.
“Në zonën e plazheve të Orikumit ka një monitorim me një gjatësi prej 10 km, në këtë gjatësi dallohet se janë 14.4 ha të gërryer. Nga viti 2009-2016 janë gërryer nga erozioni 14.2 hektarë tokë. Nga harta shihni shtratin e vjetër të Semanit, që tregon si ka avancuar deti në tokë, një humbje prej 14.2 hektarësh tokë.”
Erozioni detar parashikohet të rritet në vitet në vazhdim dhe argjinaturat mbrojtëse nuk do ta përballojnë dot, duke bërë që zonat e ulëta të jenë shumë të ekspozuara nga shkatërrimi.