Erza Muminoviq do të jetë bartëse e flamurit të Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018.
Xhudistja nga klubi Ippon në Pejë, është sportistja e vetme e jona me normë Olimpike Buenos Aires 2018.
16-vjeçarja nga Peja është kampione e Evropës për kadete dhe momentalisht renditet numër një në botë në kategorinë -44 kg.
Katër sportistët tjerë që po e përfaqësojnë vendin tonë në Olimpiadën e të rinjve janë: Erdonis Maliqi (boks), Bleron Fetaovski (peshëngritje), Melisa Zhdrella (not) dhe Muhamet Ramadani (atletikë).
Ceremonia hapëse bëhet sot me orën lokale në Argjentinë, duke filluar prej orës 20:00, ndërsa me kohën lokale në Kosovë, më 7 tetor në ora 3:00 (pas mesnate).
Për herë të parë, ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike nuk do të mbahet në stadium, por në rrugën kryesore të Buenos Airesit, tek Obelisku i këtij qyteti.
Për Ekipin Olimpik të Kosovës LOR Buenos Aires 2018 janë të parat, që prej anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, katër vjet më parë.