Sot në ora 16:00 në Zyrën e BE-së në Prishtinë, emisari Miroslav Lajcak do të jetë nikoqir i takimit me opozitën.
Burime bëjnë me dije se bashkë me Lajçak do të jetë edhe një përfaqësues i Zyrës së BE-së, ndërkohë që të ftuar do të jenë edhe pala amerikane, emisari Gabriel Escobar dhe Ambasadori Jeff Hovenier.
Nga opozita do të jenë PDK, LDK e AAK, respektivisht Memli Krasniqi dhe një zyrtar i PDK’së, Lumir Abdixhiku me një zyrtar nga LDK dhe Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga një zyrtar i AAK’së.
Liderët opozitarë një takim të ngjashëm e kanë pasur mbrëmë në ambasadën amerikane ku kanë qenë të ftuar për darkë me të dërguarin e SHBA-së për dialogun, Gabriel Escobar.
Dy emisarët e BE-së dhe SHBA-së po qëndrojnë në rajon në përpjekje për të arritur një marrëveshje për targat dhe dokumentet e udhëtimit. Pas Prishtinës, të enjten, ata do të priten në Beograd.