I dërguari i presidentit të SHBA-së, Joseph Biden, për Ballkanin Perëndimor — Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për t’u regjistruar toka në kadastër, siç parashihet në vendim.
Pyetja: Në letrën e Sekretarit të Shtetit, Blinken, kryeministrit Kurti i kërkohet që Kosova do të duhej të zbatojë vendimet e gjykatës, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave. Sa e kuptojmë ne, ka të bëjë me një vendim të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese në të mirë të Manastirit të Deçanit, me të cilin vendoset që 24 hektarë tokë i takojnë manastirit. A pritni që Kosova ta përmbushë këtë kërkesë të Shtëpisë së Bardhë?
“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe këmbëngulës: ky rast ka të bëjë me sundimin e ligjit, jo etninë, politikën apo fenë. Vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese dhe ta regjistrojë tokën. Qeveria Kurti është zgjedhur në bazë të platformës të fokusuar në forcimin e sundimit të ligjit. Respektimi i vendimeve gjyqësore nuk është çështje që mund të zgjedhësh dhe sigurisht nuk është çështje e negociatave, politikëbërjes apo ujdive”, ka thënë Escobar për Reporterin.
Kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur 16 vjet.
Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ai nuk është zbatuar, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese për të gjitha palët.
Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ta lejojnë Manastirin që ta regjistrojë tokën në kadastër.