Escobar: SHBA-ja e mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës, dialogu e afron më shumë Kosovën drejt BE-së

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 18:31 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë dialogun me Serbinë, si një proces që do ta afrojë vendin me Bashkimin Evropian dhe komunitetin trans-atlantik.

Në një konferencë për mediet, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Escobar ka përsëritur se SHBA-ja mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj, raporton Ekonomia Online.

“Nga perspektiva amerikane, dua të them se SHBA-ja e përkrah plotësisht pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial të saj. E keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë”. 

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor qartësoi qëndrimin e SHBA-së se mbështet dialogun dhe integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në BE.

Porosia e tij për BE-në ishte që Ballkanin Perëndimor ta shohin si mundësi të jashtëzakonshme dhe jo rrezik.

“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë si një mundësi të jashtëzakonshme me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht jeni evropianë dhe ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e njohin që Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik”.

“Në këtë kuptim, ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtarë potencialë të BE-së në të ardhmen, që të gjitha ata në paqe me njëri-tjetrin, që të gjithë produktivë dhe anëtarë të aftë, ashtu siç i kemi parë ne si partnerë bilateralë. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, tha Escobar.

Escobar siguroi se Kosova e ka një partner dhe mik të mirë si SHBA-ja. “Ju duhet të jeni miq me Shtetet e Bashkuara”, tha ai, ndërsa foli se si Kosova duhet ta ndjekë rrugën e saj euroatlantike.

Escobar, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, të hënën nisën vizitën treditore në Kosovë, dhe më pas do ta vizitojnë dhe Serbinë. Vizita ka për qëllim inkurajimin e liderëve në të dy shtetet për angazhim në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Duke folur për dialogun, Escobar tha se ky proces ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit.

“Dialogu ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik që ju veçse jeni pjesë dhe ky dialog do të ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar.

Ndërkaq, Lajçak tha se kjo vizitë e përbashkët tregon se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë “ngushtë” për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për vizionin e së ardhmes.

“Jam i lumtur që kjo vizitë veçse ka ofruar një mundësi për të diskutuar për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm me presidenten dhe kryeministrin dhe ne do të vazhdojmë diskutimet tona”, tha Lajçak.

LEXO EDHE:

Kurti pas takimit me Escobarin e Lajçakun: Jemi të vendosur që integriteti e sovraniteti të mbesin të pacenuara

Të ngjashme