Është manipulim i pastër të thuhet se serbët po largohen për shkak të “terrorit” të Albin Kurtit

Prishtinë | 06 Sht 2024 | 12:33 | Nga Radomir Dimić

Një fantazmë po qarkullon në veri të Kosovës. Mediat serbe nga veriu, të nxitura nga “Srpska Lista”, gjithnjë e më shumë dhe më fort akuzojnë kryeministrin e Kosovës, A.K., se po kryen pastrim etnik dhe po minon Planin e Ahtisaarit, me ndihmën e EULEX-it, KFOR-it dhe Quint-it.

Sigurisht që bëhet fjalë për një akuzë të telekomanduar dhe një konstruksion të llogaritur politikisht për të sulmuar sa më shumë pushtetin dhe institucionet e Kosovës.

Nuk është Albin Kurti ai që ka kryer një sulm paramilitar në Banjskë dhe as ai që ka thirrur serbët të lënë punën në institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe të japin dorëheqje.

Përgjegjësinë për këtë e mbajnë të tjerë që e kanë bërë këtë, dhe jo kryeministri i Kosovës. Pikërisht Aleksandar Vuçiç, me pranimin e tij të Planit Franko-Gjerman dhe Marrëveshjes së Ohrit, ka rikthyer pothuajse të gjitha kompetencat në përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës në veri.

Prandaj, është manipulim i pastër të thuhet se serbët po largohen për shkak të terrorit të Albin Kurtit dhe një insinuatë edhe më e ndyrë të sugjerohet se Policia e Kosovës do të ndërhyjë në institucionet arsimore dhe shëndetësore, siç dëshiron dikush të nxisë konflikte, që besoj fort se KFOR-i do t’i pengojë me vendosmëri.

(Autori është gazetar dhe ish-politikan nga Kosova)

Të ngjashme