Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka mbajtur sot mbledhjen e tij të nëntë me radhë për këtë vit. Në këtë mbledhje Bordi ka aprovuar kërkesën/aplikacionin e kompanisë “Air Energy” SH.P.K për Licencë të përkohshme (1 vjeçare) të gjenerimit të energjisë elektrike për parkun me erë “Kitka” me kapacitet të instaluar prej 32.4 MW.
Po ashtu në këtë mbledhje, Bordi ka Përcaktuar Furnizuesin e Mundësisë së fundit për periudhën e ardhshme 3 vjeçare. Ky veprim vije si pjesë e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, ku konsumatorët do të kenë mundësi të zgjedhin vet furnizuesin e tyre. Pjesë e këtij procesi është edhe sigurimi i konsumatorëve që në rrethana të caktuara të mos mbesin pa furnizues. ZRRE, në përputhje me dispozitat e Nenit 40 të Ligjit për energjinë Elektrike, ka shpallur Tenderin për të zgjedhur furnizuesin të cilit do i ngarkohet obligimi i Furnizimit të Mundësisë së Fundit por në mungesë të ofertimit Bordi i ZRRE këtë obligim ka vendosur të ja ngarkoi operatorit aktual të shërbimit publik të furnizimit KESCO SH.A.
Po ashtu në këtë mbledhje Bordi ka shqyrtuar edhe një numër ankesash të konsumatorëve si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me rregullimin dhe funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Të gjitha vendimet dhe raportet për pikat e shqyrtuara dhe të aprovuara nga Bordi do të publikohen në faqen elektronike të ZRRE www.ero-ks.org.